Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të fushatës, ka qëndruar në Suharekë.
Aty ka kërkuar votën e suharekasve për Bali Muharremajn, të cilin e ka cilësuar si “një djalë e punëtor të madh”.
Pasi ka treguar për vete se e fillon punën në orën 7 në mëngjes dhe punon edhe fundjavave, ka thënë se Muharremaj do të sjellë “frymën e qeverisjes Haradinaj edhe në Therandë”.
“Në Therandë, AAK-ja i rri përkrah punës, njëjtë sikurse në krejt Kosovën”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i Qeverisë ka premtuar se kandidati i AAK-së për të parin e këtij qyteti do të ketë përkrahjen e Qeverisë për t’i realizuar projektet e parapara.
Haradinaj tha se Suhareka në mandatin e Muharremajt do të kryejë shumë projekte, por se premtoi se ato nuk do të përurohen nga liderët.
“Ne jemi duke punuar çdo ditë në Qeveri dhe këtë e kemi dëshmuar. Këtë intensitet do ta përcjellim edhe në Therandë. Do të ketë shumë përurime të projekteve, por shiritin nuk do ta prejmë ne, do ta gjejmë një fëmijë t’i bëjë ato” ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka kërkuar nga qytetarët e Suharekës që ta përkrahin Muharremajn në zgjedhjet e 22 tetorit, për ta vazhduar “ndryshimin që ka filluar”.
Ndërsa kandidati për kryetar të Suharekës, Bali Muharremaj ka shpalosur disa nga projektet që i parasheh për mandatin katërvjeçar. Ai ka thënë se në Suharekë parasheh zhvillim në të gjitha fushat.
“Në Therandë parashohim të bëjmë investime në shëndetësi, në ekonomi, turizëm, arsim. Theradën do ta bëjmë vendin me më së shumti aktivitet kulturor“, ka thënë Muharremaj.
Muharremaj ka prezantuar edhe 34 kandidatët e AAK-së për asambleistë në Kuvendin Komunal të Suharekës.