Haradinaj: Nëse AAK-ja s’përfaqësohet me njërin nga tri postet kryesore, shkojmë në zgjedhje

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 07:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk është i gatshëm të lëshojë pe për postin e presidentit.

Haradinaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se me LDK-në nuk e kanë pasur presidentin në klauzolë kur e kanë lidhur koalicionin.

 “Me publikimin e aktakuza ndaj zotit Thaçi ne kemi pasur diskutime të brendshme se çfarë të bëjmë nëse aktakuzat konfirmohen. Bazuar në këto rrethana të krijuara ne mendojmë se duhet të kemi një nga tri përgjegjësitë e para që të jemi në vendimmarrje”.

“Nëse na godet Gjykata Speciale, në Kosovë krijohet një brishtësi institucionale dhe politike dhe unë mendoj se jam një faktor i qëndrueshmërisë së interesit kombëtarë”, shtoi Haradinaj.

Kryetari i AAK-së thotë se ai nuk e vë në dyshim besnikërinë ndaj koalicionit qeverisës.

“Unë nuk e kushtëzoj koalicionin me postin e presidentit, por kur të vijë koha e zgjedhjes se presidentit unë nuk kam obligim ndaj koalicionit”.

Haradinaj thotë se nëse nuk kanë ndonjë pozitë të rëndësishme vendimmarrëse më të lehtë do ta kishin që të qëndronin në opozitë.

“Kur ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për punët qeverisëse ku nuk vendosim”.

Kryetari i AAK-së thotë se PDK nuk duhet t’i ikë temës së presidentit.

“Duhet të ballafaqohemi me situatën. Nuk duhet të ikim nga kjo temë e të fshihemi”.

I pyetur nëse do të qëndrojë në sallë AAK nëse LDK dhe PDK arrijnë marrëveshje për presidentin, Haradinaj thotë se nuk mund të bëhen pjesë e ndonjë votimi ku ata nuk janë palë e marrëveshjes.

“Në versionin që ne të mbesim pa vendimmarrje apo zgjedhjet e reja, ne jemi të hapur për zgjedhje. Zgjedhjet nuk i shoh problem në demokraci”, deklaroi ndër të tjera Ramush Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme