Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se mund t’i bashkohet opozitës për shkuar në zgjedhje të parakohshme, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të deklarohet rreth kësaj dhe t’i thërrasë partitë që të krijohet konsensusi për shpërndarjen e Kuvendit.
“Aleanca ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo Kryeministri jo vetëm që e ka kundërshtuar por është kujdesur të na e kujtojë se kur është afati i zgjedhjeve të rregullta. Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin. Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është Presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të Kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensuesi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të Kryeministrit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tha se Kosova sot përballet me një situatë të ndjeshme, edhe politike edhe të sigurisë, dhe kjo temë kërkon qartësi.