Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nesër do të udhëtojë për në Hagë.
Në ndërkohë, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit pritet të intervistohet nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë më 24 korrik.
Ftesa nga Gjykata Speciale ishte arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.
Ai këtë vendim të befasishëm e bëri të ditur në një konferencë për media gjatë ditës së premte ku tha se nuk mund të lejojë që të intervistohet nga Gjykata Speciale në postin e kryeministrit, por do të shkojë vetëm si qytetar i Kosovës.
Haradinaj në këtë konferencë për media njoftoi po ashtu se nga Gjykata Speciale do të merret në pyetje në cilësinë e të dyshuarit, pa dhënë më shumë detaje se për çfarë rasti bëhet fjalë.