Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u është drejtuar mediave pas takimit të Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike.
Ai në lidhje me statusin e presidentit Hashim Thaçi në lidhje me borën, tha se nuk e din se çfarë ka dashur të thotë me statusin e tij sepse siç tha ai nuk kanë komunikim tash e një kohë të gjatë, raporton Ekonomia Online.
“Për besë shumë të vështirë e kam me komentu postimin e presidentit sepse ka kohë të gjatë që nuk kemi komunikim. Ne si qeveri nuk po rrimë, nuk po e humbim kohën, po punojmë për materie dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse. Momentin kur jam pyet dhe e kam përmend borën ka qenë një ngjarje e natyrës tjetër dhe nuk kam dashtë me i përzi, kam dashtë me thënë që herën tjetër flasim. Pozicionin për tema e kam të qartë”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se me presidentin ka pasur vetëm takime multilaterale.
“Me presidentin jemi taku në takime multilaterale dhe jo një me një”, tha ai.
Haradinaj ka thënë se grevat kanë qenë të pritshme dhe se ndihen të shqetësuar për shkak të pozitës në paga.
“Grevat janë rezultat i ligjit, të gjithë po kërkojnë pozicion më të mirë në ligj. Të gjithë e kanë frikën e presionit se si do ti pozicionoj ligjin. Ka pas rritje, por çdo vit do të pasoj rritje. Do të jemi gati me ligj për pagat. Puna e rrëzimit të qeverisë vazhdon prej ditës që ja kam nisë. Ligji nuk i rregullon pagat e sektorit privat. Kanë qenë të pritura këto greva”, ka thënë tutje Haradinaj.