Haradinaj përsërit se s’kishte informacion për “gylenistët”, thotë se i erdhi “si prej qiellit”

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 13:08 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar sot në diskutimin “Fol Hapur” i cili është organizuar nga Lëvizja FOL.

Aty, Haradinaj ka folur ndër të tjera edhe për arrestimin e të ashtuquajturit shef i zyrës së për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si dhe raportin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj ka thënë se nuk e ka ditur që Gjuriqit i është ndaluar hyrja. Ai ka shtuar se vendimi për ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë është marrë të premten, ndërsa ai këtë e ka kuptuar tek të dielën në mbrëmje.

“Nuk e kam ditur që iu ka ndaluar hyrja Gjuriqit, hyrja i është ndaluar të premten, unë e kam marrë vesh të dielën në mbrëmje. A është dashte ai me ardh në Prishtinë, më kanë thënë se është çështje e procedurave. Nuk jam deklaru shpejt por gjendjen e kam përcjellur. U kam dërgu porosi serbëve që i njoh që nuk kjo është kundër jush. A duhet me dalë gjithë në konferencë a , jo, ka dalë drejtori i policisë, u bëmë si kanagjegj”.

Haradinaj ka thënë se lajmi për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, i ka ardhur “si prej qiellit”, pasi siç tha, nuk ka qenë i informuar për këto veprime.

“Sa i përket gylenistëve, lidhje s’kam pas, si prej qiellit më ka ardh. Thanë ia kanë ndal lejet, i kanë paketu në aeroplan, i kan qu, thash eu, kjo koka kiamet”.

Kryeministri ka thënë se nuk e di kush janë gylenistët dhe cila është ideologjia e tyre, por veprimet pas kësaj ngjarje nuk janë bërë për inat të presidentit turk Erdogan.

“Te gylenistët, nuk e kuptoj kush janë, nuk e kuptoj a kanë ideologji. Nuk kam hyrë në punë të Turqisë. Në këtë vend do të mundohem të punoj me ligj e kushtetutë. Nuk bëhet për intati të zotit Erdogan apo qeverisë , as për hatër”.

Haradinaj ka shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë orientimin euro-atlantik.

“Une takoj zyrtarë turq, s’ka ndodhur luftë, më shumë ka qenë konflikt verbal. Nuk na ka shti askush me zor me thënë që jemi euro-atlanik, duhet me mbajt këtë”.

Në këtë diskutim, Haradinaj është pyetur edhe për procesin e njohjeve, ku tha se diplomacia kosovare është duke u sfiduar dhe se ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, po lufton për njohje.

Ai ka shtuar se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën si shtet dhe i ka bërë thirrje shtetit serb që të mos e teprojë duke e zvarritur marrëveshjen përfundimtare.

“Me thënë Kosova s’po duam zgjidhje nuk i bjen mirë Serbisë. Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e zgjidh. Zotit Daciq i ka rënë përkrahja në planin e brendshëm. Diplomacia jonë është e sfiduar, por ministri ynë është duke luftuar për njohje. I bëj thirrje Serbisë që me dikë që s’ka qare pa u marrë vesh mos ta teprojë”.

Haradinaj ka kritikuar edhe raportin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se problemet në këtë fushë janë të çuditshme.

Ai tha se në Shqipëri ka grupe të interesit që tentojnë të minojnë proceset.

“Problemet janë të natyrës së çuditshme. Ligji për sponzorizime ka konflikte mes dy ministrive. Është njëfar tendece e minimit të procesve, ka atje grupe të interesit brenda administratës”.

Haradinaj ka shtuar se Qeveria e Shqipërisë është dashur që të bisedojë me atë të Kosovës kur ka vendosur për të vënë taksën në “Rrugën e Kombit”.

Ai ka vlerësuar se taska prej pesë eurove për të hyrë në Shqipëri është e lartë për familjet kosovare.

“Me siguri ka pasur dobi me bë një bisede paraprake, do të ishte në rregull. Ajo që me vjen çudi është se pesë euro për një familje të Kosovës është shumë, një euro nuk do të ishte shumë, nuk po du me u përzi por duhet me qenë të sinqert”.

Të ngjashme