Haradinaj: Presidentja është bërë si “vuvuzelë” e Qeverisë Kurti

Prishtinë | 27 Tet 2022 | 21:22 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, e ka quajtur “vuvuzelë” të qeverisë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Haradinaj në “Debat Plus” në TV Dukagjini ka thënë se presidentja Osmani nuk ka qasje serioze ndaj çështjeve serioze siç është dialogu Kosovë-Serbi derisa ka shtuar se deklaratat e saj kanë për qëllim “lajthitjen e opininonit publik”.

“Presidentja është bërë si vuvuzelë e Qeverisë, ajo nuk mund të merret seriozisht çfarë po thotë. Ajo një ditë thotë fake news, një ditë thotë shumë shpejt do ta publikojmë, drafti është i mirë, jemi duke e shqyrtu. Ajo po mundohet ta lajthisë opininon publik, cilës ti besojmë asaj para një javë apo sot”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, foli edhe për marrëveshjet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën tha se është marrëveshje ndërkombëtare dhe se secila qeveri që vjen e ka për obligim ta zbatojë.

“Kur ke një marrëveshje ndërkombëtare secila qeveri obligohet. Problemi është çfarë statusi duhet të ketë ai. Kanë dalë disa dokumente nuk e di a janë valide, por shihet që janë duke punuar akterë seriozë në të”, ka deklaruar ai.

Haradinaj, ripërsëriti qëndrimin e AAK-së, se çdo propozim që vjen nga ShBA-ja, duhet të merret seriozisht nga Qeveria e Kosovës.

Të ngjashme