Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka drejtuar kritika drejt Vetëvendosjes pas fitores së saj në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Haradinaj përmes Facebook’ut ka thënë se dialogu me serbët që s’kanë peshë elektorale është një sinjal i keq.
“Kosova sot, prej fituesve të rinj të zgjedhjeve pret krijimin sa më shpejt të institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta, duke përfshirë këtu dialogun e brendshëm dhe të jashtëm, që të vetmin përcaktim ka ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit të vendit e karakterit unitar të shtetit. Dialogu i brendshëm vetëm me përfaqësues minorë e pa ndonjë fuqi elektorale të serbëve nga pjesa qëndrore e Kosovës, jo vetëm se mund të jetë selektiv, por edhe sinjal i keq për karakterin unitar të Shtetit”, ka thënë Haradinaj.
Ai tutje ka shkruar se është e ngutshme pjesëmarrja e VV’së në zgjedhjet në Shqipëri.
“E konsideroj poashtu të parakohshme ngutjen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe druaj se, në mos për vetë pjesëmarësit në këto zgjedhje, të tjerët do ta shohin si një hile dhe mundësi për të rikthyer skenarë të vjetër për ndarje. E pakta kjo mund të konsiderohet si një lloj pafuqie për tu përballur me integrimin e patjetërsueshëm të veriut të vendit”, tha ai.