Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur në takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit kryetari i Kuvendit, Ruçi e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën e re në udhëheqje të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar lartë dinamikën e re qeverisëse, të vendosur që në fillim të mandatit.
Me këtë rast kryetari Ruçi theksoi gatishmërinë e institucionit që drejton që edhe më tutje të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në avancimin e agjendës evropiane.
Nga ana e tij, kryeministri Haradinaj vlerësoi rolin e legjislativit shqiptar në ndihmën dhënë institucioneve të Kosovës dhe në shtetndërtimin e saj.
“Institucionet e Shqipërisë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar për Republikën e Kosovës në të gjitha periudhat, dhe kjo na inkurajon që të vazhdojmë edhe më tutje shkëmbimin e përvojave”, tha kryeministri Haradinaj.