Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, Harry Bajraktarin dhe Rrustem Gecajn, veprimtar të hershëm të çështjes së Kosovës në Amerikë si dhe biznesmen të njohur, që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj falënderoi Bajraktarin dhe Gecajn për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën, duke lobuar fuqishëm në institucionet e shtetit amerikan për pavarësinë e Kosovës, pastaj në shtet ndërtimin e saj, përmes investimeve në ekonomi.
“Do të jemi gjithmonë përkrah njerëzve të mirë të Kosovës, sepse ata i janë bërë zë lirisë së vendit, në kohërat më të rënda”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj përmendi se për t’u dhënë krah shqiptarëve të Kosovës kudo në botë dhe për t’i nxitur ata që të investojnë në Kosovë është formuar edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, me qëllim të ofrimit të lehtësirave më të mëdha për investitorë nga jashtë, me theks të veçantë për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.
Bajraktari dhe Gecaj, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe për një dinamikë të re në qeverisje, duke i uruar sukses në punën e tij si kryeministër, dhe shprehën vullnetin e tyre për mbështetjen e Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik, përmes investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës.