Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim rreth 60 profesorë dhe intelektualë të tjerë, të cilët kishin nënshkruar peticionin në mbështetje të tij gjatë kohës sa po mbahej në Francë.
Lideri i AAK-së i ka falënderuar të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë dhënë kontributin e tyre për lirimin e tij nga Franca.
Ai tha se falë tyre ka arritur të kalojë edhe një sfidë.
“Kësaj here jemi pas një sfide që në këtë rast isha protagonist vet por e di që ka qenë sfidë e të gjithë neve dhe po ju them sinqerisht që krahas të ithtarëve që t’i jep jeta diçka shumë e ëmbël dhe afër zemrës ka qenë dashnia dhe respekti i njerëzve. Në këtë telashe që rashë ndjenja dashnia respekti që ka ardhur jo në baza partiake apo të natyrave të tilla por në baza vëllazërore qytetare dhe shqiptare më ka bërë të ndihem mirë”, ka thënë ai.
Haradinaj tha se aktivitetet e ndryshme të ndërmarra nga intelektualët dhe artistët kosovarë e kanë bërë të ndihet mirë dhe për këtë tha se iu është borxhli.
“Më ka bërë me u ndje mirë edhe kujdesi i artistëve ekspozitave të tyre tryezat që keni mbajt me peticionin që e keni krijuar ju vet si vlerë tuajën. Ju falënderoj nga zemra për krejt këto dhe ndihem borxh ndaj jush. Nuk po them që ndihem borxhli në kuptimin mekanik por të ndjenjës që mund ta kultivojmë që në fund të fundit jeta jonë dhe ne pasuri më të madhe se njëri tjetrin nuk kemi”, ka thënë ai.
in