Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim koordinatoren për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj është njoftuar për reformat e reja që kjo organizatë po implementon në misionet e saj, përfshirë edhe Kosovën, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për të fuqizuar rolin dhe koordinimin më të mirë të institucioneve të vendit dhe 15 agjencioneve të kësaj organizate, prezente në vend.
Kryeministri Haradinaj, ka përkrahur idenë e zbatimit në praktikë të fondit të besimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm – SDG, në favor të fuqizimit të rolit të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimit me Agjencitë e OKB-së, si një mekanizëm i nevojshëm për të rritur efikasitetin dhe adresuar më mirë interesat e shoqërisë, duke u fokusuar në tema të veçanta dhe në rezultate konkrete.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin e Qeverisë dhe të institucioneve që bashkërisht t’i çojnë përpara projektet e rëndësishme, si në fushën e edukimit, barazisë gjinore, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, fuqizimin e rolit të gruas, përfshirjes sa më të mirë të komuniteteve dhe aspekte të tjera, të rëndësishme të shoqërisë.
Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme dhe gatishmërinë e Qeverisë që e udhëheqë për realizimin e projekteve të përbashkëta.