Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ministrin e Drejtësisë së Hungarisë, László Trócsányi.
Kryeministri Haradinaj e njoftoi për të arriturat e Kosovës në zhvillim ekonomik, sundimin e ligjit dhe rendit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët e vendit, duke falënderuar shtetin hungarez për mbështetjen e Kosovës.
Ministri Trócsányi tha se shteti i tij do të jetë bashkëpunues me Kosovën, sidomos në luftën e përbashkët kundër terrorizmit global.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj dhe ministri Trócsányi vlerësuan se raportet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, dhe theksuan nevojën e avancimit të tyre në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.