Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka vizituar vendin ku po mbahej protesta e organizuar nga banorët e fshatrave Bablak, Lubovc, Tërn, Koshare dhe Slivovë të Komunës së Ferizajt, me të cilët bashkëbisedoi për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së tyre për ndërtimin e rrugës që i lidh fshatrat e tyre me magjistralen e Ferizajt dhe atë të Shtimes.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast premtoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’u krijojë lehtësira të gjithë banorëve të këtyre fshatrave dhe qasje në rrugët magjistrale.
Duke parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhen këto rrugë, e sidomos, pas vërshimeve të fundit të cilat i kanë dëmtuar në masë të konsideruar rrugët e këtyre fshatrave, kryeministri Haradinaj theksoi gatishmërinë e qeverisë që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejt për banorët e këtyre fshatrave.
“Po punojmë që të gjendet një mënyrë sa më e shpejtë për të kaluar të gjitha etapat që kanë mbetur. Ne nuk ndërhyjmë në punën e institucioneve të pavarura, por besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm që të hiqen pengesat për të filluar me ndërtimin e rrugës”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj i siguroi banorët se Qeveria do të marrë përsipër që të kryej punët e mbetura në ndërtimin e rrugës që i lidh këto fshatra me rrugët magjistrale.
“Sigurt e keni se ne do të interesohemi për ndërtimin e rrugëve. Jam thellë i bindur se do ta gjejmë një mënyrë për t’i dhënë prioritet kësaj çështje, në mënyrë që të fillojnë punimet”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi, tha se qeveria është e interesuar që kjo punë të përmbyllet sa më parë, duke siguruar banorët e fshatrave të Ferizajt se punimet në ndërtimin e rrugës do të fillojnë sa më shpejt, në mënyrë që i tërë projekti të përmbyllet në afat kohor.