Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se qeverisja e Aleancës e ka ndryshuar Gjakovën dhe jetën e qytetarëve në këtë Komunë.
Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e 24-vjetorit të themelimit të AAK-së në Gjakovë
“Qeveria e Aleancës në Gjakove ka ndryshuar pozitivisht jetën e qytetarëve. Komuna e Gjakovës, që është lënë jashtë vëmendjes së qeverisë aktuale, falë punës së palodhur të Ardian Gjinit me ekipin e tij, ka realizuar shumë projekte zhvillimore e infrastrukturore, duke u bërë model i qeverisjes së mirë në vend. Në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të degës së AAK-së në Gjakovë, shihej vullneti dhe gatishmëria për të vazhduar me punët e mira për Gjakovën, ashtu si në kohën e qeverisë sime, kur kjo komunë kishte vëmendjen e kujdesin e plotë të institucioneve qendrore”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se AAK po rritet e fuqizohet bashkë me partnerët e koalicionit.
“Familja jonë e madhe politike po vazhdon të forcohet edhe më tutje, e Aleanca bashkë me partnerët në koalicion; Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, është bërë adresë e të gjithë atyre që kërkojnë dhe besojnë në ndryshimin”, është shprehur Haradinaj.