Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pranuar se Qeveria që e udhëheqë nuk është e përkryer, por ka ngecje. Ai para deputetëve ka radhitur disa vendime, ku sipas tij, punëtorët do të trajtohen dinjitetshëm. Sa i përket Ligjit të Pagave, Haradinaj e quajti arritje të Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Ai tha ka pasur kërkesa të vazhdueshme për rritjen e pagave.
“Qeveria që udhëheqi nuk është e përkryer ka ngecje. Unë kam gjet në tavolinë të punës plot tema ndër to kërkesa të vazhdueshme rritje të pagave. Përkundër fateve të vendimeve të para të rritjes së pagave kanë qenë të kritikuara kemi ardhë në një moment të vlefshëm, për herë të parë janë rritë pagat. Për herë të parë në historinë e Qeverisë sonë që kemi Ligj për Paga”, tha Haradinaj.
Ai tha se Ligji për Paga nuk është i përkryer, por ka vendosur një rregull për punëtorët që shërbejnë ne sektorin publik. Sa i përket punëtorëve të sektorit privat, ai kritikoi edhe qeveritë e mëhershme për mosrritje të pagës minimale.
“Edhe pse nuk është ligj i përkryer e ka vendosë një rregull të gjithë atyre që shërbejnë në sektor publik. Sa i përket sektorit privat ne flasim për vitin 2011. Qeveritë e mëhershme nuk kanë lëvizë ad-hoc e kanë lë fjetur. Rritja e pagave të Qeverisë e ka shkaktuar këtë. Nuk e kam lënë dikë ta trajtoj para meje. Nga 2011 kjo temë nuk është prekë. Sot parlamenti e ka mundësinë të insiston në përputhje më rritjen e pagave. Në sektor publik kur ka qenë paga minimale 130-170 merreni si ka qenë paga në sektor publik atëherë. Ajo është rritë që atëherë por në sektor privat nuk është prekë që atëherë”, tha ai, raporton EO.
Kreu i ekzekutivit tha se korrupsion ka pasur edhe në Qeverinë Mustafa. Ai shtoi se kjo çështje e pagave duhet të rregullohet së bashku.
“Mendoj që sektori privat duhet ta kuptoj këtë. Nuk është qëllim i yni me ua bë ligjin sipërmarrësve që nuk u japin rrogat. Jemi ofruar prej fillimi në një takim me sipërmarrësit. E pranoj që kemi sfida me korrupsion dhe tjera, nuk janë të sodit kanë qenë edhe në Qeveri paraprake por nëse donë me më bind dikush mu se nuk ka pasur korrupsion në qeverinë Mustafa nuk mendoj se ka qenë ashtu. Ju lutem merreni këtë temë ta kryejmë së bashku”, tha ai.
Haradinaj sërish përmendi opsionin e tij për pagën minimale 239 euro dhe koeficienti 1, duke kërkuar edhe sugjerime nga ligjvënësit.