Visar Ymeri nga Grupi i Deputetëve të Pavarur tha se procesi i hetimeve për rastin e Astrit Deharit është trajtuar në mënyrë që të fshihet e vërteta, raporton Ekonomia Online.
“Këtu është një keqkuptim i asaj se çka është fakt dhe çka është interpretim. Ato se çka kanë ndodhur me Deharin janë fakte. Në nivel faktik ka pasur një rrjedhë brengosëse. I tërë procesi i hetimeve është trajtuar në atë mënyrë qe të fshihet e vërteta dhe jo të zbardhet rasti. U bënë më shumë se 1 vit e katër muaj që kërkohet hetim i pavarur për Astritin”.
“Më 5 nëntor vdiq edhe shteti i Kosovës, vdiq përgjegjësia bazike e institucioneve për të ofruar siguri për qytetarët”.
Kryeministri Haradinaj në replikën ndaj Ymerit tha se duhet të ruajmë besimin në atë që i është lënë në dorë drejtësisë.
“Nxjerrja e konkluzave nuk është në rregull nëse besojmë. Unë kam familjarë të vdekur pas luftës. Vëllai im ka vdekur, unë kam shumë adresa që dyshoj mirëpo drejtësia nuk e ka dëshmuar. Unë e di që kur ndodhë një gjë e tillë dyshimi është bazik mirëpo ne jemi njerëz të zgjedhur dhe duhet të kemi kujdes. Ju kisha lutur që të ruajmë besimin”.
Haradinaj tha se deklarimet lidhur me vdekjen e Astrit Deharit kanë qenë të çakorduara.
“Mënyra e menaxhimit të deklarimeve publike dhe shkalla e përgjegjesisë, kanë qenë të çakorduara. Unë them qe edhe avokati i mbrojtës ka pasur çakordime sepse është munduar të shpallet njëfar lufte. Është dashur edhe ai ta lërë të vërtetën të dal në shesh”.
“Edhe unë kam qenë në gjykata, të gjithë kanë menduar që ekzistojnë vërtetë akuzat mirëpo është dëshmuar që s’ka qenë e vërtetë. Prandaj leni hapësirë të vërtetes të dal. Unë jam që Qeveria e vendit të ia besojë institucionit ndërkombëtar të nxjerrë të vërteten dhe nëse ka nevojë për mjete përsëri ne do t’i ndajmë”.