Kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një tubim elektoral në Cërnicë të Gjilanit, tha se ndryshimi tashmë ka filluar në Kosovë me marrjen e drejtimit të qeverisjes nga AAK-ja.
Ai ka kërkuar që ky ndryshim të vazhdohet edhe nëpër komuna më 22 tetor.
Haradinaj tha se kandidati për kreun e Gjilanit, Rexhep Kadriu, do t’ia kthejë qytetit krenarinë.
“Dëgjova që s’keni ujë të pijes as kanalizime”, iu tha ai, banorëve të Cërnicës. “Mu po më ndihmojnë këto ardhje, sepse po i shoh punët që nuk janë kryer”.
Ai shtoi se Kosova ka marrë grante, “pare hua e pare falë”; por ka pasur pak zhvillim. “Kanë ba tema e zhurmë e i kanë lanë punët pa i kry. Qëllimi im është ndryshe. Unë du me ba Kosovën, du me ba Gjilanin”, u shpreh Haradinaj.
“Por më duhet ndihma juaj që ta mund ta ndryshojmë gjendjen në vend”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar votën e gjilanasve.
Haradinaj tregoi se sot e ka autorizuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe ministritë e tjera përkatëse, që të lehtësohet procedura për dhënien e lejeve të përkohshme dhe të përhershme për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe viset e tjera me shqiptarë. Duke pasur parasysh që në Programin Legjislativ për vitin 2017 është edhe Ligji për të Huajt, kryeministri ka kërkuar përfshirjen e dispozitave ligjore të cilat do të krijonin lehtësira për dhënien e këtyre lejeve dhe të shtetësisë, për qytetarët e rajonit me të cilat kufizohet Kosova.
“Shqiptarit që jeton rreth nesh do t’ia japim tri statuse: leje të përkohshme, lejen e përhershme dhe t’i lejohet shtetësia e Kosovës”, sqaroi Haradinaj.
Sikur dihet në komunën e Gjilanit jetojnë shumë shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe deri më tani ata kanë pasur probleme me dokumente.
Kadriu: Për çdo cep të Gjilanit e dimë se çfarë duhet bërë
Kandidati për kryetar të Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili është aktualisht nënkryetar i Komunës, kërkoi nga qytetarët e Gjilanit që t’ia japin mundësinë të vazhdojë punën. “Për katër vjet në bashkëqeverisje kemi bërë shumë punë për qytetarët”, deklaroi Kadriu.
“Aleanca në këtë garë del më një platformë më të mirë. Për çdo cep të Gjilanit e dimë se çfarë duhet bërë”.
“E di që këtu në Cërnicë mungon kanalizimi, uji dhe rrugët. Ata për 17 vite e kishin mundësinë që këto kërkesa tuaja t’i plotësojnë, por s’e bënë. Ne në qendër të platformës kemi zhvillimin ekonomik”, theksoi Kadriu.
“Mua më intereson punësimi dhe arsimimi. Rrugët e kanalizimi janë obligim”.
Një nga premtimet e tij ishte dhe hapja e Zonës Ekonomike në fshatin Bresalc, ku do të përfshihen më shumë se 2 000 qytetarë në punë. “Kurse për katër vjet do t’i punësojmë 1 300 studentë”.
Në Gjilan, Aleanca garon edhe me 38 kandidatë për Kuvendin Komunal.