Kryeministri Ramush Haradinaj e ka lënë të hapur mundësinë e shkarkimit të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.
Shkarkimi i këtij ministri që vjen nga Lista Serbe, është njëri nga pesë kushtet e vëna nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, në këmbim të votave për miratimin e Ligjit për Buxhetin, që kaloi në lexim të parë e pret leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj në konferencën e sotme për media, në serbisht, ka deklaruar se shkarkimi i Rikalos është i mundshëm. Lajmi është transmetuar edhe në mediat serbe. Agjencia FoNet ka cituar Haradinajn të ketë deklaruar se “është e mundur që ministri i Bujqësisë nga Lista Serbe të zëvendësohet”.
Koha.net ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës se kur pritet të shkarkohet Rikalo, por të premten pasdite një gjë të tillë e ka pasur të pamundur.
Sidoqoftë, një burim brenda koalicionit qeverisës ia ka konfirmuar portalit se shkarkimi do të ndodhë.
“Veç vonim se shpëtim nuk ka. Por se kur do të ndodhë nuk mund ta them”, ka thënë për Koha.net ky burim në kushte anonimiteti.
Gazeta Koha Ditore ka shkruar javën e kaluar se Qeveria ka përmbushur deri tash vetëm një nga kushtet e PSD-së për buxhetin. E shkarkimi i Rikalos pritej të bëhej këtë javë.
“Janari nuk e ka gjetur Kosovën me buxhet të miratuar për vitin e ri fiskal dhe Qeveria nuk ka dhënë sinjale se mund t’i ndërmarrë shpejt të 5 veprimet që PSD-ja në opozitë i ka listuar si kushte për të dhënë votën pro buxhetit. Megjithëkëtë, burime të gazetës kanë thënë se në këtë drejtim do të lëvizet javën e ardhshme. Sipas tyre, pas festave do të jetë në rend dite shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo. Me të do të përmbushej kushti i dytë, meqë deri tash vetëm një ka marrë trajtim – është miratuar në Qeveri Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror që do ta përfaqësojë Kosovën në negociatat me Serbinë”, ka shkruar Koha Ditore.
Gati gjatë gjithë vitit të shkuar Qeveria ka funksionuar duke mos e pasur shumicën në Kuvend. Kjo pasi, në mars, formalisht Lista Serbe me 10 deputetët e saj ka dalë në opozitë, por ministrat nga radhët e saj kanë vazhduar t’i ushtrojnë funksionet dhe për punën e bërë nuk i kanë raportuar as Kuvendit dhe as Qeverisë. Dalibor Jevtiq, Ivan Todosijeviq e edhe Nenad Rikalo ushtrojnë funksionet, e nuk paraqiten në mbledhjet e Qeverisë dhe as në seancat plenare, sikurse edhe refuzojnë ftesat për raportim në komisionet parlamentare.
Për muaj rresht Rikalo nuk i ka zbatuar as vendimet e gjykatave që lidheshin me dikasterin qeveritar që e drejton. Gjykata Themelore në Prishtinë nëpërmjet një aktvendimi u kishte dhënë vulë pohimeve se ishin të paqena “faktet” që i kishte listuar Rikalo si arsye për ta shkarkuar nga pozita e kryeshefit Elhami Hajdarin, njeriun që kishte refuzuar t’ia përcillte jashtëligjshëm mbi 80 mijë euro një biznesi me bazë në Prizren, me të cilin kishte raport afarist Biljana Rikalo, bashkëshorte e këtij ministri. Në fakt, gjykata kishte kërkuar përmbarimin e një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, i cili kërkon kthimin në vendin e Hajdarit në pozitën nga e cila është shkarkuar. Rikalo nuk e kishte zbatuar as vendimin e Këshillit dhe as të Gjykatës.
Pas disa kohësh ai e ka rikthyer në detyrë Hajdarin dhe menjëherë e ka shkarkuar me një vendim tjetër, duke bërë që procedurat e ankesës të nisnin nga e para.
Gazeta ka raportuar edhe se Lista Serbe është duke orientuar në veri miliona euro nga buxheti i shtetit, ani se formalisht ky subjekt ka braktisur koalicionin.
PSD-ja, që ka vënë kushtet për buxhetin, e ka arsyetuar nevojën për shkarkimin e Rikalos, duke thënë se bujqësia duhet të jetë sektor me prioritet dhe se për të duhet më shumë buxhet.
“Duke u zhvilluar bujqësia rritet tregu i punës dhe forcohet ekonomia”, thuhet në këtë arsyetim. “Kjo bëhet kur njerëzit e duhur vendosen në vendin e duhur, e Rikalo nuk është i duhuri për të qenë në krye të këtij sektori”.
Shkarkimi i Rikalos ishte kërkuar nga opozita me t’u emëruar ministër, meqë ish-fqinjët e tij në lagjen Dardania e akuzonin për tortura e rrahje në kohë të luftës. Kjo kishte bërë që Haradinaj të kërkojë lustracion për të. Institucionet e sigurisë në vend kishin thënë se nuk kanë informata se Rikalo ka keqtrajtuar shqiptarë, duke përfshirë edhe ish-fqinjët e tij në Dardani.