Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit të ri Albin Kurti që ka paralajmëruar masën e reciprocitetit si zëvendësim të taksës ndaj mallrave serbe, vendim që ishte marrë nga Haradinaj në mandatin e shkuar.
Në një deklaratë për televizionin publik, Haradinaj ka thënë se reciprocitetin e kishte refuzuar qysh kur kishte vendosur për taksën. Sipas tij, kjo masë është për t’u fshehur për heqjen e taksës.
“Në emër të sakrificës që ka bërë i bëj thirrje të mos e heqë taksën se ke me mbet cullak, i zhveshur. Kurti e Osmani do të mbesin zhveshur. Pa kurrgjë. Çka kanë me dhënë më? Reciprocitetin ma ka ofruar mua menjëherë Serbia, ishte propozim i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë. Menjëherë e kam pas në tavolinë. Është vetëm fshehje e asaj që po bëjnë, këta ofertuan për të ardhur në pushtet, për të dalë ndryshe, tashmë po shihet. Këta për t’i lënë dynjaja me ardhë në pushtet, kanë thënë ua heqim taksën se Ramushi s’po ua heq. S’kanë nevojë ta bëjnë. Por nuk ndihem mirë nëse Kurti u thotë amerikanëve taksën do ta heq vetëm ndalmani Ramushin. Nuk është në rregull”, ka deklaruar ai, transmeton Koha.net.
Me akuza edhe më të rënda ka vazhduar Haradinaj që ka thënë se me këtë veprim, qeveria e re do t’i bëjë dëm Kosovës.
“Përshtypja më jepet mua se Kurti u ka thënë do ta heq taksën vetëm armortizojeni Ramushin. Atë përshtypje e fitoj. Keq me ardh deri aty puna që të shkojë të thotë i deshi pantollët vetëm më mbroni nga Ramushi. Nuk duhet me bë ashtu. Është gabim. Po i bëjnë dëm vendit, jo mua. Jam habit me këtë qasje të lehtë. I kanë mobilizuar shumë pakurrizorë gjoja të shpjegojnë pse reciprociteti është më i mirë se taksa. S’po u vjen marre bre, të ka dhunuar gra, të ka djeg të madh e të vogël, të ka prish varret, të ka bo çka të ka bë, po dëshiron t’ia japësh 500 milionë atij që t’i ka bërë gjitha këto për të blerë armë në Rusi e me të mbajt prapë… çka të ka bë Kosova me e bë këtë”, ka shtuar Haradinaj.
Sot, në një letër publike drejtuar Kurtit, Haradinaj e kishte lutur Kurtin të mos vendosë për heqjen e taksës.
Në dy ditët e para të qeverisjes VV-LDK, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani paralajmëruan masën e reciprocitetit politik, ekonomik e tregtar në vend të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe.