Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur rreth arrestimit të pesë shtetasve turq sot në Kosovë.
Ai ka thënë se arrestimi ka ndodhur vetëm për shkak të mënyrës së qëndrimit.
“Arsyeja e ndalimit është mënyra e qëndrimit e padefinuar, pra të huajt që vijnë në Kosovë i kanë disa procedura që duhet ti kryejnë. Arsyeja e ndalimit është mungesa e respektimit të procedurave për qëndrim në Kosovë. Do të interesohem më tutje për ketë temë”, tha Haradinaj.
Sot në mëngjes në mënyrë të befasishme janë arrestuar krerët dhe profesorët e “Gulistan” dhe kolegjit “Mehmet Akif”.
Drejtori Gjeneral i këtij institucioni, Mustafa Erden është arrestuar gjatë rrugës sa ishte duke shkuar në punë, dhe sipas informacioneve nga ky institucion arrestimi është realizuar në prani të familjarëve të tij.
Në një situatë pothuajse të ngjashme është arrestuar edhe zëvendësdrejtori, Yusuf Karabima.
Në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Xhihan Ozan dhe Hasan Hysein Dinahan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Denirez.
Këta të fundit janë marrë nga policia nga objekti shkollor.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se nuk kanë pasur njohuri për arsyet e arrestimeve dhe se nuk dihet lokacioni të arrestuarve.