Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi për të biseduar për shpalljen e zgjedhjeve të reja, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se edhe AAK-ja është e interesuar të shpërbëj Kuvendin dhe se do t’i bashkohet mocionit për një gjë të tillë.
“Ende jo. Nuk kemi ftesë si subjekt politik nga presidenti Thaçi. Edhe ne jemi të interesuar të shpërbejmë Kuvendin. Këshilli Drejtues i partisë ka mandatar Ahmet Isufin që të punojë me partitë tjera për një mocion për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai.
Haradinaj ka thënë se AAK-ja edhe pse ka një afërsi me disa parti politike, do të shkojë e vetme në zgjedhje.
“AAK shkon vet në zgjedhje, megjithatë kemi respekt për disa parti, si Nismën, PSD-në, AKR-në, por ne shkojmë vetëm”, tha ai.
Haradinaj këto komente i bëri pas homazheve te varrezat e dëshmorëve në Dardanë.