Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Podujevës, është mbajtur tubimi përkujtimor për dëshmorët e kësaj komune dhe është përuruar Kompleksi Memorial i Zonës Operative të Llapit.
Po këtë ditë, është bërë edhe rivarrimi i Heroit Hakif Zejnullahu.
“Sot po na bashkojnë më meritorët tanë, ata që janë në themel të lirisë sonë, janë dëshmorët, martirët dhe heronjtë tanë. Sot, është nderë për ne të gjithë, për secilin prej nesh këtu e kudo që jemi si shqiptarë, që Hakif Zejnullahu, sot e merr nderimin e merituar nga djemtë e Kosovës, nga ushtarët e Kosovës, nga populli i Kosovës, dhe pushon me bashkëluftëtarët e vet, në tokën e vet të lirë”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej kryeministri Haradinaj tha se sot po nderohen Zahiri, Iliri, Ali Ajeti si dhe breza e breza të luftëtarëve llapjan, burra dhe djem që kombi mburret me ta, duke shtuar se Llapi, Gollaku dhe gjithë kjo trevë krenohet me rrugën e vet për liri edhe me sakrificën e vet në shërbim të atdheut, në shërbim të kombit, në shërbim të shqiptarëve.
“Varri i dëshmorit është nderë për secilin komb, çdo komb që e çmon lirinë, çdo komb që ende e ka të freskët rrugën për liri, edhe brezat që jetojnë, ata breza që kanë rrugëtuar me heronjtë, me dëshmorët, e dinë rëndësinë e varrit, e dinë rëndësinë e memorialit, e dinë rëndësinë e adresës ku pushojnë të rënët për liri, mirëpo ne duhet të kujdesemi që tani, këtë rëndësi të varrit të dëshmorit, heroit tonë, që nderimin për dëshmorët, për martirët, për të rënët për liri, ta kultivojmë për brezat që vijnë”, tha kryeministri Haradinaj
Duke folur për memorialin, kryeministri Haradinaj tha se ky memorial bëhet jo vetëm për ne, por bëhet për breza e breza që do të vijnë, që ata ta kuptojnë rrugën drejt lirisë. “Ky memorial është si garancë që asnjëherë historia të mos përsëritet” , tha Kryeministri Haradinaj.
Të pranishmëve me nga një fjalim i janë drejtuar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhemshit Gashi, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari.
Në këtë ceremoni u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore me emrat e dëshmorëve të Zonës Operative të Llapit.