Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Presidentin e Federatës Evropiane të Ping Pongut (ETTU) Ronald Kramer dhe Kryetarin e Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku.
Haradinaj gjatë takimit, thotë se e ka njoftuar Kramer, për të arriturat dhe progresin e vazhdueshëm në Kosovë, në të gjitha fushat e zhvillimit, me theks përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë për avancimin e sportit në Kosovë.
“Sporti në Kosovë, si shumë sfera të tjera kanë pasur sfidat e tyre në zhvillim dhe krijim, por sot jemi me fat që në këtë drejtim ne kemi shënuar progres dhe suksese në shumë fusha dhe në angazhimin institucional, sporti është shndërruar në një nga prioritetet tona”, tha Haradinaj, duke e falënderuar Federatën e Pingpongut të Kosovës për angazhimin dhe përpjekjet që të anëtarësohen në Federatën Evropiane të këtij sporti dhe të shënojnë edhe rezultate në përfaqësimin në garat ndërkombëtare të Kosovës.
“Rezultat i punës tuaj është edhe organizimi i Ligës Rajonale të Pingpongut “CONNECT Youth Table Tennis Regional Balkan League” e cila do të mbahet për herë të parë në Prishtinë nga 22 -23 Nëntor 2019 dhe ka përkrahjen e Federatës Evropiane të Pingpongut. Kjo është një arritje e madhe në këtë sport dhe këto angazhime në avancimin dhe profesionalizimin e këtij sporti, duhet të vazhdojnë pa ndalë, sepse Kosova ka potenciale”, tha tutje ai.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Federatës Evropiane të Pingpongut, e kanë falënderuar kryeministrin në detyrë, Haradinaj, për pritjen, në të njëjtën kohë duke thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Federatën e Pingpongut të Kosovës në zhvillimin e aktiviteteve të ngjashme edhe në të ardhmen.