Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Melisa Haradinaj-Stublla, ka paralajmëruar ngritjen e një fondi të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Ajo ka thënë se ky është zotim i dy shteteve, raporton Ekonomia Online.
Këtë ajo e bëri të ditur gjatë nënshkrimit të memorandum bashkëpunimit me Federata Pan–Shqiptare “Vatra”.
Haradinaj-Stublla, tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për promovimin e vlerave shqiptare.
Ajo tha se “Vatra”, ka qenë ambasada e parë e Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në promovimin e vlerave shqiptare.”Me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” – nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit, një zotim i cili tani e tutje do të na lidh edhe më fortë së bashku – për hartimin e një agjende të përbashkët mbarëkombëtare”.
“Është përgjegjësi, nder dhe kënaqësi e veçantë, që si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, së bashku, të konkretizojmë dëshirën e vullnetin tonë të madh, për të krijuar një program të promovimit të vlerave dhe interesave të shqiptarëve”.
“Mbi të gjitha, sot kemi lidhur Besën dhe Fjalën, edhe zyrtarisht, me “Vatrën” tonë, e cila ka qenë, e mbetet një nga organizatat më të rëndësishme për promovimin e vlerave shqiptare”.
“Historia na mëson se të bashkuar dalim fitimtarë, dhe ky është synim i ynë i përbashkët”.
“Puna për ngritjen e fondit ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës, shënon një momentum të ri politik në përpjekjet tona për të lartësuar pozicionin e për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc, e Medvegjë. Dhe ky është vetëm fillimi. Do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim edhe për shqiptarët e Malit të Zi e kudo”, tha ajo.
Kryetari i Shoqatës “VATRA” Elmi Berisha, tha se ndihet i lumtur që sot nënshkruajnë këtë marrëveshje.
Ai tha se një marrëveshje të tillë do ta nënshkruajnë edhe me Shqipërinë, për të bashkërenduar aktivitetet.
“Vatra, për një periudhë të caktuar bëri politikën e Jashtme dhe pagoi edhe vetë ambasadorët. Ne ndihmuam në sensibilizimin e çështjes së Kosovës”.
“Kemi bashkëpunuar tash e 20 vite me Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, kësaj radhe kemi menduar që t’i betonizojmë veprimet tona dhe një marrëveshje të tillë do ta kemi edhe më Shqipërinë”, tha Berisha.