Haradinaj-Stublla në Berlin, flet rreth procesit të liberalizimit të vizave

Prishtinë | 22 Gus 2020 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, në Ambasadën e Kosovës në Berlin, ka zhvilluar takim me Matthias Lüttenberg – Shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane dhe Christiane Hullmann – Shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Sipas kryediplomates kosovare, lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, njofton Klan Kosova.

“Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi”.

“Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës”.

“Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan”.

Të ngjashme