Rrugëtimi i Kosovës deri këtu nuk mund të paramendohet pa kontributin dhe rolin e grave.
Kështu u shpreh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla, në konferencën virtuale të organizuar në Javën e Grave, me temë “Le të ndryshojmë fytyrën e politikës: Koha është tani!”, ku pjesëmarrës ishin edhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë Znj. Ann Linde dhe Sekretari Parlamentar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Z. Rob Oliphant.
Ministrja Haradinaj-Stublla u shpreh se gra vendore dhe ndërkombëtare kanë lënë gjurmë të pashlyera në ndërmjetësimin e shumë marrëveshjeve në rrugëtimin e Kosovës për shtetësi, të cilat hapën perspektivën për një rajon në paqe dhe të qëndrueshëm.
“Shumë zonja të nderuara të vendit tonë kanë qenë të angazhuara në të gjitha proceset e rëndësishme të ndërtimit të shtetit në Kosovë, përfshirë proceset negociuese që i dhanë fund luftës dhe ndaluan krimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë”, u shpreh ajo, duke përmendur me këtë rast rolin që luajti në vitin 2011, ish-Kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel, znj. Edita Tahiri, kur u arritën marrëveshjet e para teknike me Serbinë.
“Për herë të parë në historinë e negociatave midis dy vendeve, u arritën shtatë marrëveshje të një natyre teknike të cilat u pasuan më tej nga marrëveshje të rëndësishme politike, të cilat tani shpresoj të përfundojnë së shpejti, me marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke, e cila do të ndikojnë në paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës dhe të gjithë rajonit tonë”, u shpreh ministrja Haradinaj-Stublla.
Sa i takon përfshirjes së grave në qeverisje, ajo tha se Kosova qëndron më mirë se vendet e rajonit, duke potencuar me këtë rast mbajtjen e pozitave kryesore në institucionet e Kosovës nga gratë.
“Ne jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që zgjodhi një grua Presidente. Sot, ajo Zyrë drejtohet përkohësisht, po ashtu, nga një grua, e cila është gjithashtu edhe Kryetare e Parlamentit të Kosovës. Personalisht, jam jashtëzakonisht e nderuar nga mundësia për të udhëhequr diplomacinë e Kosovës. Përkundër faktit që unë i përkas brezit të ri të politikanëve, jam e bindur se do të përfundojmë me sukses shumë procese të rëndësishme për avancimin dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh shefja e diplomacisë kosovare, sipas të cilët, Rezoluta 1325 e miratuar para më shumë se dy dekadash, ka pasur një ndikim pozitiv në fuqizimin e grave në proceset e vendimmarrjes dhe ndërmjetësimit për paqe.
Ajo tha se me gjithë përparimet e bëra, ky progres nuk është ende i mjaftueshëm.
“Gratë kanë bërë shumë për shtetet dhe shoqërinë, por me të drejtë shtrohet pyetja – A bëjnë organizatat ndërkombëtare, shtetet dhe shoqëria sa duhet për gratë?”, u shpreh Haradinaj-Stublla.
“Unë dua që ta përfundojë fjalën time me bindjen e fortë se Gratë, kudo, duhet të luajnë një rol kryesor në ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e përgjithshëm shoqëror”, shtoi ajo duke u shpreh se ky rol duhet të fitohet nga vetvetja – jo duke kërkuar përfshirje për hir të ekuilibrit gjinor, por për shkak të besimit tonë të fortë se ne mund të ndërmjetësojmë paqen dhe të avancojmë stabilitetin brenda vendeve tona.
“Historikisht – ISHIN Gratë që ndërmjetësuan marrëveshje, ndërsa ishin burrat që nuk i respektonin ato”, u shpreh ndër të tjera ministrja Haradinaj-Stublla, duke falënderuar organizatorët e Javës së Grave, Institutin Demokratik Kombëtar – NDI, USAID-in, Ambasadat e Kanadasë dhe Kroacisë dhe UN Women në Kosovë.