Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj Stublla, të premten takoi në Vjenë dy Konsujt e Nderit të Republikës së Kosovës në Austri, David Unger-Klein dhe Manfred Brandner.
“Kisha kënaqësinë që sot të takoj edhe Konsujt e Nderit, David Unger-Klein dhe Manfred Brandner. Shpreha mirënjohjen për kontributin e tyre në fuqizimin e emrit të Kosovës në Austri, dhe krijimin e urave lidhëse mes shoqërive tona, në veçanti për përkrahjen e komunitetit tonë këtu”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.
Në këtë takim është biseduar edhe për domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit të mëtejm, si dhe për shkëmbime të eksperiencave të ndërsjella në fushën ekonomike, edukative dhe kulturore midis dy vendeve.
Ministrja Haradinaj Stublla po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë, ndërkohë që pas pak pritet të takohet edhe me homologun e saj, Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin do të diskutojë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe zhvillimet politike në rajon.