Ministrja e Punëve
të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza
Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim të frytshëm e shumë miqësor me
anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë,
kryesuar nga znj.Mimi Kodheli, e cila sapo është zgjedhur edhe Zëvendës presidente
e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në Kosovë dhe rajon si
dhe për nevojën e bashkërendimit të politikës së jashtme në mes të Kosovës dhe
Shqipërisë, duke avancuar interesat strategjike të të dyja vendeve si shtete të
cilat rrugëtimin euroatlantik e kanë të paalternativë.
Duke marrë për bazë përvojën e gjatë në fushën
e mbrojtjes, si ish Ministre e Mbrojtës dhe si Kryetare e Delegacionit
parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tema kryesore ishte
avancimi i integrimit të Kosovës në NATO dhe mbështetja që në këtë drejtim mund
të ofrojë Shqipëria dhe znj.Kodheli në veçanti, tani edhe si Zv/Presidente e
Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Kosova duhet të fillojë përgatitjet për
avancimin e rrugës integruese të Kosovës në NATO si një nga top prioritetet e
saj të politikës së jashtme dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë
Euro-Atlantik.
Në këtë kontekst, ajo vlerësoi rolin e NATO-s në Kosovë dhe praninë e saj në
rajon si ofrues i sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin
Perëndimor.
Ministrja znj.Haradinaj-Stublla vlerësoi me këtë rast punën ndër-institucionale
midis shteteve, duke marrë si shembull reagimin e shpejtë si sot një vit më
parë në tragjedinë e tërmetit, të Ministrisë së Mbrojtës të Kosovës dhe pjesëtarëve
të FSK-së, që dëshmuan përgatitje të lartë, kapacitete profesionale dhe
gatishmëri për t’u përballë me sfida të tilla.
“Republika e Shqipërisë është partneri ynë i natyrshëm strategjik dhe një shtet
simotër – thellimi i marrëdhënieve midis dy shteteve tona duhet të jetë në
nivel mbi atë bilateral, në veprimtarinë e përbashkët për mbrojtjen e
interesave të shqiptarëve kudo që janë”, u shpreh ajo.
Ministrja Haradinaj-Stublla, po ashtu, vlerësoi rolin e Komisionit për Punë të
Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë në mbështetje të nismave dhe proceseve lidhur
me Kosovën.
Duke folur për procesin integrues të Shqipërisë, ministrja Haradinaj-Stublla
tha se pret që procesi i integrimit në BE për Shqipërinë të hapet shpejt dhe të
hapë perspektiven konkrete edhe për Kosovën.