Haradinaj-Stublla takon Kodhelin, anëtarësimi i Kosovës në NATO garancë për stabilitetin e rajonit

Prishtinë | 08 Dhj 2020 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim të frytshëm e shumë miqësor me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga znj.Mimi Kodheli, e cila sapo është zgjedhur edhe Zëvendës presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në Kosovë dhe rajon si dhe për nevojën e bashkërendimit të politikës së jashtme në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, duke avancuar interesat strategjike të të dyja vendeve si shtete të cilat rrugëtimin euroatlantik e kanë të paalternativë.

Duke marrë për bazë përvojën e gjatë në fushën  e mbrojtjes, si ish Ministre e Mbrojtës dhe si Kryetare e Delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tema kryesore ishte avancimi i integrimit të Kosovës në NATO dhe mbështetja që në këtë drejtim mund të ofrojë Shqipëria dhe znj.Kodheli në veçanti, tani edhe si Zv/Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Kosova duhet të fillojë përgatitjet për avancimin e rrugës integruese të Kosovës në NATO si një nga top prioritetet e saj të politikës së jashtme dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik.

Në këtë kontekst, ajo vlerësoi rolin e NATO-s në Kosovë dhe praninë e saj në rajon si ofrues i sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. 

Ministrja znj.Haradinaj-Stublla vlerësoi me këtë rast punën ndër-institucionale midis shteteve, duke marrë si shembull reagimin e shpejtë si sot një vit më parë në tragjedinë e tërmetit, të Ministrisë së Mbrojtës të Kosovës dhe pjesëtarëve të FSK-së, që dëshmuan përgatitje të lartë, kapacitete profesionale dhe gatishmëri për t’u përballë me sfida të tilla.

“Republika e Shqipërisë është partneri ynë i natyrshëm strategjik dhe një shtet simotër – thellimi i marrëdhënieve midis dy shteteve tona duhet të jetë në nivel mbi atë bilateral, në veprimtarinë e përbashkët për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që janë”, u shpreh ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla, po ashtu, vlerësoi rolin e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë në mbështetje të nismave dhe proceseve lidhur me Kosovën.

Duke folur për procesin integrues të Shqipërisë, ministrja Haradinaj-Stublla tha se pret që procesi i integrimit në BE për Shqipërinë të hapet shpejt dhe të hapë perspektiven konkrete edhe për Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme