Haradinaj: Suksesi i Qeverisë do të testohet në Llap

Podujevë | 28 Sht 2017 | 18:14 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka vazhduar fushatën zgjedhore në Podujevë, ku është pritur me surle e tupana.

Për kandidatin e AAK-së në Podujevë, Fatmir Humolli, Haradinaj tha se është i vetmi që mund ta vazhdojë ndryshimin, ndërsa shtoi se ndryshimi veçse ka filluar.

Lideri i Aleancë tha se Qeveria e tij suksesin do ta masë me Llapin e Podujevën. “Atdheu, Kombi e Kosova duhet të kthejmë në Llap atë që ia kemi borxh, e Llapit duhet me ia kthye zhvillimin. Ne jemi në urgjencë për këtë, suksesi ka me ardhë në vend”.

“Kosova është në një kthesë të madhe dhe ndryshimi i madh ka filluar. Punët që janë garanci në Podujevë se kanë me u kry. Fatmir Humolli është ai që na ruan. Unë e kërkoj mbështetjen për Humollin, sepse atij ia kisha besuar ardhmen e fëmijëve të mij”, ka thënë Haradinaj.

Si në shumicën e tubimeve, Haradinaj ka prekur dhe çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që konsiderohet si kusht për heqjen e vizave për Kosovarët.

Ai ka përsëritur se komisionin e ka shkarkuar pasi që nuk e ka kryer punën si duhet. “Unë bashkësisë ndërkombëtare i kam thënë që nuk janë 2/3 e deputetëve në Kuvend dhe Kosova nuk ka votë për këtë version. Dhe nuk mund te votohet kështu. S’ka marrëveshje te njëanshme për demarkacion. Unë po them që votë nuk ka për këtë marrëveshje por ka proces për këtë çështje, sepse kufiri është në Çakorr dhe Kullë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Fatmir Humolli i cili është edhe kryetar i degës që AAK- së në Podujevë, ka thënë se zhgënjimi i qytetarëve është për faj të atyre që bëjnë politikë pa proces.

“Gjendja nuk është e mirë. Jemi fajtorë që kemi lejuar me funksionu një pushtet që nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve tanë. Aleanca e ka ndërtuar një listë me obligime për vendin”.

“Në këtë gjendje të cilën jemi, pa listën e kandidatëve tanë nuk mund të bëhet ndryshimi, por ndryshimi vjen me punë e përkushtim te kandidatëve”, ka thënë Humolli.

Mes tjerash, ai ka premtuar ndërtimin e stallave me nga 100 lopë dhe subvencione të tjera për fermerët e bujqit podujevas.

Haradinaj u premton llapjanëve se do t’i zgjidhë shumë probleme me të cilat preokupohet komuna e Podujevës.

Gjatë një tubimi në qendrën e rajonit të Llapit, i pari i AAK-së tha se kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës, Fatmir Humolli, është njeriu më i besueshëm që llapjanët kanë për të qeverisur me komunën e tyre.

Haradinaj premtoi se ritmi i lartë i punës që ka nisur në Qeverinë e Kosovës në krye me të, do të vërehet edhe në Podujevë.

“Punën që ja kam nis në qeveri, do t’ia marrin lakmi të gjitha qeveritë e botës. Kështu që mënyra që po ndodhë në qeverinë qendrore, do të arrijë edhe Llapin. Shumë tema me të cilat ne kemi qenë në kolaps, kanë me u përmirësu,” tha ai.

Duke iu drejtuar me humor kandidatit Humolli, Haradinaj tha se nga respekti që ai ka për qytetarët e tij, “harroi edhe t’ua kërkoj votën”.

Baci, siç iu referohej Haradinaj Humollit, tha se është aq njeri i drejtë sa që, siç u shpreh ai, do t’ia besonte edhe të ardhmen fëmijëve të tij.

“Unë po ju them se Fatmir Humollit ja kisha besu edhe të ardhmen e fëmijëve të mi. Ai e pati të vështirë që ta kërkonte edhe votën, nga respekti që ka për ju”, u shpreh kreu i AAK-së.
Ndër të tjera, Haradinaj përmendi edhe zhvillimet e fundit më të cilat po përballet ai si kryeministër, si emërimet e reja në komisionin për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi. Haradinaj premtoi se si kryeministër, do të shtyjë përpara proceset e integrimit.

Kandidati për të parin e Podujevës, Fatmir Humolli, shpalosi planin e tij për zhvillimin e kësaj komune, ku në rend të parë kishte mbështetjen e bujqve dhe blegtorëve.

Ai përmendi se brenda mandatit 4-vjeçar, do bëjë të mundur krijimin e 50 stallave me nga 100 krerë lopë. Humolli premtoi se do ta krijojnë infrastrukturën e nevojshme për t’ua bërë të mundur bujqve të këtij rajoni që ta shfrytëzojnë ujin e lumit Llap për ujitje të tokës.

“Bujqësia në komunën e Podujevës është në gjendje të mjerueshme. Lumi Llap nuk është duke u shfrytëzuar sa duhet për ujitje. Ne do ta bëjmë këtë të mundur. Ne do t’ia mundësojmë bujqve që të marrin kredi pa interes. Ne do ta bëjmë të mundur që t’i bëjmë 50 stalla me nga 100 krerë lopë”.

“Ne do ta ndryshojmë gjendjen në komunën tonë. Ne do ta ndryshojmë gjendjen e krijuar nga qeverisja aktuale në Podujevë, me mosbesimin ndaj qytetarëve. AAK do të krijojë mundësi të reja për zhvillim. Ne do të angazhohemi pa kursim që ta bëjmë një administratë funksionale, përmirësojmë edukimin. Me ne shëndetësia do të jetë 24 orë në shërbim të qytetarëve,” tha Humolli.

Haradinaj dhe Humolli, në fund të tubimit prezantuan 38 kandidatët për asamblistë në Komunën e Podujevës.

Të ngjashme