Javë intensive kanë paralajmëruar partitë politike në synimin e tyre për të arritur shumicën e domosdoshme në Kuvend për Qeverinë e ardhshme.
Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë nisur të rrjedhin afatet kohore sa i përket konstituimit të institucioneve, të cilat fillojnë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkruan sot Koha Ditore.
Me gjithë refuzimin që ia kanë bërë partitë shqiptare, në koalicionin PAN kanë paralajmëruar se gjatë javës do të konsultohen me të gjitha subjektet për të gjetur partnerë në bashkëqeverisje.
Por ata nuk i kanë përjashtuar as kontaktet me deputetët individualisht, në përpjekjen për t’i siguruar 61 vota. Por në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pret nga presidenti t’ia kalojë radhën “pas dështimit të Haradinajt”, dhe në koalicionin e bashkuar rreth Lidhjes Demokratike, kanë thënë se do të jenë unikë në veprimet e tyre dhe se nuk do të ketë rrjedhje të votës.