Kryeministri Ramush Haradinaj, dëbimin e gjashtë shtetasve turq më 29 mars, e ka quajtur operacion të ngutshëm, përderisa ka përsëritur se nuk ka pasur informacione paraprake për këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të VV-së, Sami Kurteshi, se kur është njoftuar me rastin, Haradinaj ka sqaruar se informatën e ka marrë nga nj zyrtarë i huaj, përderisa vet ka qenë në disa takime të njëpasnjëshme atë ditë.
“E vërteta është kështu siç është në dokument. Hera parë që e kam marrë telefonatën dhe njoftimin, shtetasit turq janë largu në 10:50 ndërsa unë e kam marrë informatën rreth orës 11-12”.
Kreu i ekzekutivit ka sqaruar se ka kërkuar sqarime nga ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi. Ndërsa tha se për shkarkimin e tyre kishte edhe përkrahjen e presidenti Hashim Thaçi.
“Më 29 iu kam drejtuar këtyre personave, edhe ministrit Sefaj që iu kam thënë pse janë larguar në fshehtësi. Këto kërkesave iu kam dërguar dy përgjegjësve të parë që më detyrohen mua, AKI z.Gashi dhe z. Sefaj. Ka qenë detyrë e tyre që me më informuar për veprime. Këta dy e kanë pasë përgjegjësi me më informuar”.
“Vendimi im ka qenë pjesës e përgjegjësisë tij, mirëpo ka has edhe në mbështetje të presidentit”.
Deputeti i LDK-së Anton Çuni, e pyeti kryeministrin se “A ishte ky operacion i organizuar nga AKI-ja apo nga dikush jashtë AKI-së?”.
“Ky operacion për largimin e gjashtë shtetasve a është rezultat i punës vetanake të AKI-së, apo të ndonjë institucioni më superior apo vet shtetit të Turqisë? Në përgjigjen e AKI-së të vetmit persona që kanë qasje janë kryeministri, presidenti dhe kryetari Kuvendit. A ishte ky operacion i organizuar nga AKI apo nga dikush jashtë AKI-së?
Haradinaj tha se nuk ka informacione për kërkesë nga agjencia turke, edhe pse nuk ka përjashtuar mundësinë e një komunikimi të tillë, raporton EO.
“AKI për interesa të veta dhe vendit vet ka partneritet me agjenci të tjera të zbulimit, në këtë rast me atë turke. Ka partneritet dhe kanë zhvillu partneritet, nuk e përjashtoj mundësinë edhe mundësinë e një kërkese të palës turke”.
“Nuk ka nga unë dhe ajo që kam vërtetuar, është hetuar një nxitim, kjo është shqetësuese, është bërë një nxitim i procedurës dhe mungesa e informatës, që më kanë bërë mu me vepruar”.
Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, i tha kryeministrit se a kishe pranuar ai ndonjë kërkesë për mbylljen e shkollave të ashtuquajtura “gyliniste”.
“A keni qenë më herët në dijeni, apo a keni pasë kërkesë nga Turqia për mbylljen e këtyre shkollave, si shkolla e ‘Mehmet Akif’”.
Por kryeministri tha se nuk ka pasë asnjëherë një kërkesë të tillë, raporton EO.
“Deri ditën e sotme kurrë mu dikush nuk ma ka kërkuar dikush. Si Kosovë me mu drejtuar dikush, jo kurrë. Nuk i kam marrë asnjëherë as formalisht as miqësisht”.
Selmanaj, shtoi se sipas dëshmive të deritanishme të gjitha shkeljet kanë ndodhur nga ana e Policisë së Kosovës.
“Po del që të gjithë kanë qenë më të informuar se ju. Ministri i Drejtësisë e ka ditë, ministri i Punëve të Brendshme dhe të Jashtme e ka ditë. Ju se keni ditë. Të gjithë rreth teje e kanë ditë, Pse nuk është shkarkuar Shpend Maxhuni, kur gjithë ky rast është materializuar nga Policia e Kosovës?”.
Por sipas Haradinajt, drejtori i Policisë së Kosovës, është vetëm zbatues dhe nuk merr vendim, raporton EO.
“Drejtori Policisë është vetëm zbatues, nuk vendos ai. Mirëpo nëse një organ tjetër, si ajo e drejtësisë, nuk mund tia vësh fajin zbatuesit, por faji është tek nivelet politike. Këta janë zbatues, nuk e kanë prodhuar këta këtë produkt, produkti ka qenë i krijuar nga dikush tjetër”.
Selmanaj ka insistuar se faji ka qenë te Policia e Kosovës.
“Konkludimet tona janë se krejt lëshimet janë bërë nga policia, AKI është asistencë e policisë, e jo policia e AKI-së. Ajo që është dashtë të bëhet ka qenë të shkarkohet Shpend Maxhuni”.
Edhe kreu i ekzekutivit ka insistuar se ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni nuk ka pasë përgjegjësi në këtë rast.
“Nuk është i përgjegjës Shpend Maxhuni. Mund të krijojmë marrëdhënie ndërinstitucionale, por ai e ka zbatuar. Fajin e kanë ata që e kanë dhënë urdhrin. Dallimi ka qenë nxitimi. Pse vallë janë ngutë. Pse mos me më informuar, me mi shkruar tre rreshta, kaq kaq kaq”.
“Ju i keni materialet dhe vendimet e marra, unë kam kërkuar materialin datës 30, vendimin për shkarkim dhe jam shprehë se kërkesa ime ka efekt të menjëhershëm. Pastaj ka pasë edhe vendimi i presidentit”.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se operacioni është marrë me nxitim, e që nënkupton shkeljen e ligjit. Duke e pyetur Haradinajn se deri ku ka shkuar hetimi i këtij rasti.
“Të vetmet masa që janë ndërmarrë ju e cilësuar si operacion që është marrë me nxitim, nxitimi nënkupton shkelje të ligjit. Përpos këtyre masave që keni marrë, a keni informata ku po shkon procesi i zbardhjes së këtij rasti? Apo ky proces është mbyllur?”.
Haradinaj tha se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me këtë rast.
“Ne kemi ndërmarrë një punë të re që kemi krijuar një mekanizëm si Qeveri, të vendimmarrjes në këto raste për të gjitha institucionet. Nuk do ndodhë më në të ardhmen një vendim individual. Do të bëhet me argumentim dhe me votë. E kemi marrë edhe lejen e aleatëve tanë. Ata e kanë mirëprit, më në fund Kosova e ka një mekanizëm të tillë”.
Ganimete Musliu, nga PDK-ja pati fajlë të mira për kryeministrin, duke shtuar se ai ka krijuar precedent të mirë për të tjerët.
“Ne si komision kemi. krijuar një precedent. Jeni shumë i qëndrueshëm në kontitutet të dhënies së deklaratave dhe sot nuk mundëm me marrë më shumë se sa që keni dhënë herëve të tjera. Po besoj që kur të dilni nga këtu do mendoni që i keni pasë pyetjeje më të lehta nga deputetët se sa nga gazetarët”.
I ftuar në raportim ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në një vizitë në ShBA, raporton Ekonomia Online.
Komisioni Hetimor Parlamentar e ka hequr për sot si pikë të rendit të ditës, intervistimin e Thaçit.
Mbledhja ka vazhduar me praninë e medieve, me arsyetimin e kryeministrit se nuk do të prezantojnë ndonjë material të ndjeshëm që mos të lejohen mediet.
Në lidhje me rastin e deportimit të shtetasve turq sot pritet të intervistohet edhe sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi.
Komisioni dështoi të hënën ta mbajë këtë mbledhje, meqë as Thaçi e as Haradinaj nuk i ishin përgjigjur ftesës. Ky i pari e arsyetoi mungesën me vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Haradinaj me agjendën e ngjeshur për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë. Mos prezenca e tyre, krijoi edhe përplasje pozitë-opozitë.
Ky komision ka nisur punën në korrik të këtij viti dhe janë të mandatuar që të kryejnë punë deri në mes të dhjetorit për të ndriçuar rastin e dëbimit të shtetasve turq.
Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gylen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.
Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.
Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.
https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/2183709988623056/