Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet të respektohen afatet kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Sipas Haradinajt, nuk ka arsye që mbajtja e zgjedhjeve të vonohet. Në këtë intervistë, Haradinaj po ashtu tregon arsyet që e çuan atë që të heqë dorë nga posti i shefit të ekzekutivit.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ju dhatë dorëheqje nga posti i kryeministrit sapo u njoftuat nga Dhomat e Posaçme se jeni ftuar për intervistë si i dyshuar për krime lufte. Aktualisht ju jeni i ftuar për intervistë, por nuk keni një aktakuzë apo jo?
Ramush Haradinaj: Jo, jo, nuk ka aktakuzë.
Radio Evropa e Lirë: Para Gjykatës Speciale pritet të dalin këtë javë edhe ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A keni informata, a do të jenë këta të intervistuarit e fundit apo pritet që edhe ish-ushtarë, ish-udhëheqës të tjerë të UÇK-së të paraqiten?
Ramush Haradinaj: E di prej njoftimeve të mëhershme që ka pasur disa të ftuar. Nuk di a do të vazhdojë apo sa do të jenë. Unë kam marrë ftesë, i përgjigjem, pra kryej obligimet e mija ligjore që më takojnë, por ka qenë për mua e papranueshme që kryetarin e Qeverisë, në këtë rast shefin e ekzekutivit dhe sovranitetin – sepse unë jam shef i ministrit të Mbrojtjes, i ministrit të Rendit, i Drejtësisë – nuk kam mundur ta çoj shtetin para hetuesve. Për këtë arsye edhe kam dhënë dorëheqje, pra që ta ruaj nderin e shtetit dhe të kryetarit të Qeverisë. Ne jemi shtet i ri, por po krijojmë, ta quaj, doktrinën e shtetit tonë dhe nuk kam dashur që Kosovës t’i shkruhet në një moment të caktuar. Pastaj, ka të bëjë edhe me nderin tim personal, nderin e luftëtarit shqiptarë. Unë e kam dëshmuar pafajësinë dy herë edhe për këtë arsye e kam marrë këtë vendim.
Radio Evropa e Lirë: Kështu siç keni vepruar ju nuk kanë vepruar edhe zyrtarë të tjerë, që kanë pasur poste dhe në rast se do të ketë ftesa të tilla për zyrtarë, ish-ushtarë ose ish-komandantë të UÇK-së, a do të duhet të vepronin kështu?
Ramush Haradinaj: Tani, dallojnë besoj situatat. Unë jam kryetar i Qeverisë në detyrë. Pra kjo është një përgjegjësi, në shtet është veç një kryetar Qeverie. Edhe do të ishte për mua shumë e pandershme që të ja bëj këtë Kosovës, që ta çoj një pjesë të sovranitetit, një pjesë të asaj që është nocion i shtetit, që ta nxjerr para hetuesve. Pra, ju e shihni sot, nëntë vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha të drejtë Kosovës shpalljen e pavarësisë edhe ju kujtohet që unë dy ditë përpara të këtij vendimi, unë kam qenë i rithirrur. Po bëhet një luftë për argumentet për shtet dhe në këto argumentet për shtet e kam kujdesin e madh sepse e dimë sa ka kushtuar shteti edhe sa vështirë ka qenë që të arrihet deri këtu. Nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë që ta lëndojmë Kosovën. Kosova është euro-atlantike si shoqëri, është demokraci, është multi-etnike, është e paprekshme në vlerat e saj multi-etnike, në territor, në kufij. Pra, e ruajmë Kosovën dhe është interesi ynë..
Radio Evropa e Lirë: Pra, a do të duhej të vepronin kështu edhe të tjerët?
Ramush Haradinaj: Po, mendoj se pa dashur që të vendos një standard për secilin, por unë mendoj se kjo është mënyra sesi kam vepruar unë, përkundër faktit se nuk është e lehtë. E di se ka implikime të shumta si për mua, si për të gjithë ata që kanë pasur dëshirë që t’i prijë punës. Prapëseprapë mendoj se kjo është mënyra më e drejtë që ta ruajmë Kosovën, nderin e Kosovës, nderin e shtetit, nderin e institucioneve, por edhe nderin e luftëtarit shqiptarë.