Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë për Ekonomia Online se asnjëra nga partitë në vend nuk ka asnjë arsye për ta kundërshtuar qeverinë e ardhshme të drejtuar nga vëllai i tij.
Haradinaj është shprehur i bindur se Qeveria e re do të krijohet nga koalicioni PAN, dhe do të përkrahet dhe nga Lista Serbe.
“Mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë të drejtën ta thonë fjalën e vet në Kuvend. Ne jemi të hapur në bashkëpunim me të gjithë. Nuk besoj që Lista Serbe, ose ndonjë parti politike, ka arsye të fortë ta kundërshtojë qeverisjen e ardhshme”, ka thënë ai.
Haradinaj tutje ka thënë se formimi i institucioneve do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve, pasi shpreh bindjen se kanë mbështetjen e duhur të deputetëve për një gjë të tillë.
“Ne jemi njëherë duke e pritur certifikimin e rezultateve dhe jemi të sigurt që koalicioni vetëm e ka kryer detyrën e vet. Jemi të sigurt që nuk do të humbim kohë dhe besoj se formimi i institucioneve do të jetë shumë i shpejtë menjëherë pas certifikimit të rezultateve”, ka pohuar Haradinaj.
Daut Harafinaj ka folur dhe për kandidaturën e mundshme për kryetar të Komunës së Deçanit, në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor. “Nëse organet e partisë e marrin vendimin që të jem kandidat, do ta respektoj”, ka thënë ai.
“Unë mendoj se mbështetjen gjithsesi do ta kem, por kjo nuk është situatë në tavolinë; ta shohim njëherë. Organet e partisë do ta marrin vendimin se kush do të jetë kandidat për Deçan… Unë jam një prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në të ardhmen e afërt të shohim se si vendos partia. Gjithsesi unë jam njeri i partisë dhe respektoj vendimet”, ka pohuar Haradinaj.