Një ndeshje tjetër me 40 e më tepër pikë për James Hardenin. Është hera e 20-të që e arrin një gjë të tillë këtë stinor.
MVP-ja i stinorit të kaluar shënoi 44 pikë të hënën mbrëma, ndërsa Houston Rockets triumfoi 118:110 në udhëtim ndaj Phoenix Suns. Për Suns ishte humbja e 11-të rresht, raporton AP.
Hardeni i është bashkuar Wilt Chamberlainit, Michael Jordanit dhe Rick Barryt që kanë pasur 20 ndeshje me 40 e më tepër pikë në 50 ndeshjet e para të stinorit.
Hardeni, që pati edhe tetë kërcime e gjashtë asistime, ka zgjatur serinë prej 30 e më tepër pikësh në 27 ndeshje rresht, që është seria e tretë më e gjatë në histori të NBA-së. Seritë e vetme më të gjata janë ato prej 65 ndeshjeve dhe 31, që i ka regjistruar shumë kohë më parë Wilt Chamberlain.
“Unë thjesht po tentoj të vazhdoj. Asgjë nuk do të më ngadalësoj. Asgjë nuk mund të më ndal. Po mundohem t’u jap motivimin e njëjtë bashkëlojtarëve dhe nuk ka të bëjë vetëm me shënim, por me sulm, të qenit agresivë si në sulm ashtu edhe mbrojtje”, ka thënë Harden, që ka shënuar pesë trepikësha në ndeshjen e fundit.
Chris Paul shënoi 18 pikë dhe Kenneth Faried shtoi 17 pikë e 14 kërcime për Houstonin, që luajti pa dy startues.
Josh Jackson shënoi 25 pikë, Kelly Oubre Jr. 23 dhe Devin Booker 19 për Phoenixin.