Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i hartimit të Projektligjit për Agjencinë për Parandalim të Korrupsionit.
Sipas tij, në versionin aktual të projektligjit janë të trajtuara të gjitha çështjet që në të kaluarën ishin pengesë në zbatim nga ana e organit zbatues, ku me theks të veçantë është fokusuar në aspektin e parandalimit të korrupsionit, ndërkaq hetimi dhe gjykimi i veprave që ndërlidhen me korrupsion do t’i mbetet në përgjegjësi prokurorit të shtetit dhe gjykatave, njofton Klan Kosova.
“Për me tepër, Projektligji përcakton që Agjencia do të merret me shqyrtimin e projekt-akteve me qëllim të identifikimit të hapësirave që mundësojnë korrupsionin, pastaj monitorimin e planeve të integritetit për institucionet publike, si dhe kryerjen e përgjegjësive tjera që janë të parapara me ligje specifike, siç është parandalimi i konfliktit të interesit, çështjet me deklarimin e pasurisë si dhe trajtimi i rasteve të sinjalizimit”.
“Ndër risitë më thelbësore është edhe kompetenca që i është dhënë Agjencisë në shqiptimin e gjobave në rast të mos përmbushjes së kërkesave ligjore nga ana e subjekteve që i nënshtrohen ligjeve që zbatohen nga Agjencia”.
“Vlen të ceket se procesi i hartimit dhe finalizimit të këtij projektligji ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës dhe është hartuar në pajtim të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare. Ky projektligj tenton të avancojë edhe më tutje infrastrukturën ligjore në luftën kundër korrupsionit duke e specifikuar përgjegjësitë e Agjencisë nga tani Agjencia për Parandalim të Korrupsionit”.
“Nga sot ky Projektligji do të jetë i gatshëm për konsultime parapake. Ministria e Drejtësisë i mirëpret komentet dhe propozimet, në këtë fazë dhe atë të konsultimeve me publikun”.