Harvey Weinstein e humbi apelin e tij për t’i hedhur poshtë akuzat e tij për sulme seksuale. Magnati i filmit u shfaq të enjten në një seancë dëgjimore paragjyqësore në një gjykatë në New York, ku avokatët e tij po përpiqeshin t’i hidhnin poshtë pesë akuza për krime.
Ato kanë të bëjnë me akuzat se ai e përdhunoi një femër të paidentifikuar në dhomën e tij të hotelit në vitin 2013 dhe e detyroi një tjetër femër për akt seksual në vitin 2006.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues iu tha avokatëve në seancën dëgjimore se rasti do të vazhdonte ku seanca e ardhshme është caktuar për 7 mars. Jashtë gjykatës avokati i tij Benjamin Brafman tha se vendimi për të mos e hedhur poshtë aktakuzën ishte një “zhgënjim”.
Weinstein, i cili dukej më i dobët, nuk pranoi të fliste me gazetarët derisa hyri në seancë me sa duket duke çaluar, për ta dëgjuar vendimin e gjykatësit. Një numër i aktoreve ishin në galerinë e gjykatës, përfshirë Marisa Tomei, Nia Vardalos, Amber Tamblyn, Jennifer Esposito dhe Kathy Najimy.
Femrat thuhet se i kishin veshur bluzat me shenjën Time’s Up (Koha mbaroi). Najimy iu tha gazetarëve: “Jam këtu për ta dëgjuar procesin dhe për t’i mbështetur të mbijetuarat”.
Magnati filmik i mohon akuzat, të cilat ekipi i tij ligjor nuk pati sukses t’i hidhte poshtë në bazën e keqsjelljes së prokurorisë.
Ekipi mbrojtës i Weinsteinit pretendon ta ketë një dëshmitare, të karakterizuar si një “mike” të 66-vjeçarit, e cila do të dëshmojë se gruaja e paidentifikuar i ka falsifikuar pretendimet e saj. Mikesha e pretenduar thuhet se iu tha atyre në një intervistë se akuzuesja e tij i kishte thënë asaj se ajo “ishte në lidhje” me producentin e filmit.