Zgjedhjet e 6 tetorit nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa si të dytën Lidhjen Demokratike të Kosovës.
E këto të dyja tashmë kanë filluar edhe bisedimet për arritjen e një koalicioni të mundshëm qeverisës. Madje, kanë nisur edhe “të ndajnë” ministritë me të cilat do të udhëheqin.
Mediat kanë nisur të raportojnë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do t’i takojë minoriteteve, gjë që po kundërshtohet nga organizata të cilat merren me ruajtjen e mjedisit.
Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Let’s Do It Kosova”, në një prononcim për EkonomiaOnline, thotë se në gjendjen të cilën ndodhet vendi, me një ndotje enorme të mjedisit, vetëm një parti politike e fuqishme do t’i dilte zot situatës.
“Mirëpo në anën tjetër duke i ditur problemet e mëdha që i ka mjedisi në Kosovë, duke e ditur ndotjen enorme që është në të gjitha fushat, duke filluar prej tokës, ujit, ajrit, jemi të bindur që këtë problematik mund ta zgjidhë vetëm dikush që vjen nga një subjekt politik i cili është i fuqishëm. Edhe personi madje që ish dashtë me ardhur ministër i kësaj ministrie, do të duhej të jetë person me fuqi politike dhe brenda subjektit që i takon”, tha Hasanaj.
Hasanaj shprehet se qëndrimi i tyre për udhëheqjen e MMPH-së, nuk ka të bëjë me pikëpamjet e tyre ndaj pakicave, por nevojave urgjente mjedisore.
“I kam lexuar disa lajme nëpër media që marrëveshja politike e cila është bërë në mes të dy subjekteve politike parasheh që Ministrinë e Mjedisit ose të infuzionojë me një ministri tjetër e cila është ministria e kthimit ose t’u jepet në menaxhim pakicave. Kjo absolutisht nuk ka të bëjë me pikëpamjet tona për pakicat sepse ne kemi treg dhe kemi bërë shumë punë pothuajse në të gjithë Kosovën, e më së shumti në zonat ku jetojnë komunitetet, nuk kisha dashur aspak që me u pa si diçka që ne jemi kundër përfshirjes së tyre në qeveri”, përfundoi Hasanaj.
Ministria e Mjedisit edhe në të kaluarën është udhëhequr nga partitë minoritare.
Në mandatin 2007-2010 është udhëhequr nga Mahir Yagcilar, i komunitetit turk, ndërsa ka pasur raste kur kjo ministri i është besuar edhe partive shqiptare, por me një fuqi të vogël politike, siç është rasti me ministrin Dardan Gashi nga Lsita Ibrahim Rugova dhe Ferid Agani, nga Partia e Drejtësisë.