Hasani: Duhej të përsëritej votimi i Qeverisë Hoti, jo zgjedhje të reja

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Kushtetuesja është dashur ta anulonte vendimin e Kuvendit për Qeverinë Hoti, por jo votën e deputetit Etem Arifi.

Sipas tij, është dashur që të kthehet në pikën zero i gjithë procesi dhe që Qeveria Hoti të hidhej edhe njëherë në votim, njofton Klan Kosova.

“Mendoj që vendimi ka defekte serioze profesionale. Gjithmonë po e interpretoj vetëm verdiktin, meqenëse po besoj se nuk e ndryshojnë siç kanë bërë herën e kaluar. Unë mendoj se edhe debati që është zhvilluar mbrëmë në qarqet e komunitetit juridik është shumë pozitiv sepse merren me vendimin dhe e analizojnë, e diskutojnë me terma profesionalë dhe nuk është siç ka qenë e shëmtuar në kohën time kur të gjithë vlerësonin personalitetin, në këtë kuptim jo vetëm kësaj radhe, por në dy tre vendimet e fundit po shihet një diskurs i shëndoshë, jo patologjik”, tha Hasani.

“Vendimet tjera të Gjykatës Kushtetuese, si ai për pandeminë kanë qenë periferike, nuk kanë qenë dominonte dhe unë mendoj që është kritikuar dhe ka qenë për kritikë siç ka qenë vendimi i fundit për pandemi. Edhe ky i mbrëmshmit i ngjason në aspektin profesional, sepse Gjykata ka marrë dhe po merr në mënyrë tërësisht të gabuar për parametër vlerësimin kushtetues – ligjet, pra kushtetuetshmëria e së cilave nuk prezumohet në këtë rast që në fillim në pjesën operative e ka marrë ligjin për zgjedhjet dhe e lidh atë me nenin 71. Në ndërkohë që neni 71 kur flet për ligj dhe kufizim sikur neni 55 janë dy organe që fare nuk kanë të bëjë me Gjykatën Kushtetuese dhe ato janë ligjvënësi dhe ne i themi parimi i proporcionalitetit neni 55 i kushtetutës thonë me formulime pak a shumë të njëjta gjenden në të gjitha kushtetutat e vendeve të lindjes dhe është pjesë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Hasani në Klan Kosova.

“Ai i referohet ligjvënësit dhe tregon si mund të kufizohen me ligj liritë dhe të drejtat e njeriut dhe atëherë thotë kur bëhet interpretimi i tyre nga gjykata që të shikohen brenda paramentave ligjorë të shikohet a janë proporcionalë dhe kjo nuk ka të bëjë me nenin 71 përkatësisht me vlerësimin e mandatit”.

Hasani ka thënë se është ngatërruar dallimi themelor juridik mes shfuqizimit dhe anulimit të një akti juridik.

“Akgjykimi thotë kështu: Vota anulohet dhe për pasojë shkohet me automatizëm në zgjedhje, kurse efekti i vendimit prodhohet për të ardhmen. Nuk ka pasur nevojë të thuhet, sepse edhe ligji është i qartë për Gjykatën Kushtetuese në momentin që thua ky ligj hynë në fuqi këtë ditë apo atë ditë dhe nuk ke nevojë të thuash për të ardhmen”.

“Në rastin e Pacollit e kemi vlerësuar procedurën dhe në qoftë se ti thua se vendimi shfuqizohet, atëherë ti nuk ke të drejtë të ia marrësh të drejtën përfaqësuesit të sovranit sepse që dy herë po ndodhë si te Kurti si këtu, gjykata po konsumon një votë të kuvendit dhe nuk mund ta bëjë atë, Gjykata vetëm mund ta shpallë jo kushtetues një akt juridik dhe të tregojë cilat janë të metat që organi t’i përmirësoj, në këtë rast është dashur të kthehet meqenëse ke thënë se mandati është i pavlefshëm, çdo pasojë tjetër e ke pranuar përveç një, vetëm këtë nuk mund ta arsyetosh”.

“Në këtë rast përfaqësuesi i sovranit është dashur ta përmirësonte gabimin sepse kjo është detyrë e Gjykatës, që ta rikthejë çështjen që të votohet edhe një herë, sepse kur t’i po thua që nuk ka pasur mandat, që i bie ka votuar një njeri nga rruga pa mandat, këtë po e marrim si të mirëqenë. Problemi është që çdo vendim që shpallet i pavlefshëm nga ana e Gjykatës ai ka dy modalitete: thotë anulim që e ka kuptimin e efektit prapaveprues dhe shfuqizim, por nuk mund ta kesh edhe anulimin edhe shfuqizimin ose duhet ta menaxhosh dhe ta arsyetosh”.

Hasani e ka quajtur absurde të thuhet se vota është anuluar, vendimi është shfuqizuar dhe që e drejta për të votuar është konsumuar.

“Vendi ka mbetur vakant në momentin që e ke shfuqizuar është dashur të ishte përsëritur procedura”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme