Hasani e Limaj vizitojnë Parkun e Biznesit, ndërrmarrjet do paguajnë 50% më pak qera

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 16:30 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga tani e tutje fabrikat që zhvillojnë veprimtarinë në Parkun e Biznesit në Drenas do të paguajnë 50% më pak qera.

Ky vendim u bë i ditur sot nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani gjatë vizitës që bëri së bashku me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, raporton Ekonomia Online.

Limaj tha se gjatë vizitës në këtë park janë njohur me problemet dhe vështirësitë e tyre dhe ministri Hasani, por edhe Qeveria do të punojë që të krijojë sa më shumë lehtësira për ta si dhe të minimalizojë sa më shumë sfidat me të cilat përballen. Kjo sipas Limajt do të stimulojë bizneset që të merren sa më shumë me prodhim dhe me gjenerim të vendeve të reja të punës.

Ai tha që masat që do të ndërmarrin për produktet e tjera për hapësirë të mjaftueshme në tregjet e Kosovës do të vlejnë edhe për barnat që në të gjitha barnatoret të ketë barna vendore.

Madje Limaj tha se nëse kjo nuk bëhet në mënyrë vullnetare, atëherë do të bëhen përmes ligjit.

E ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se do të krijojnë lehtësira për prodhuesit vendor, mirëpo kërkojnë nga ta që të ofrojnë cilësi.

Hasani tha se nga ky muaj këta prodhues në Parkun e Biznesit në Drenas do të paguajnë 50% më pak për qera.

Ndërsa, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha u shpreh i lumtur për uljen e qerasë.

Panxha tha se kjo ulje do të ndikoj negativisht në të hyrat e buxhetit të Qeverisë, mirëpo do të bëjë që prodhuesit të rrisin kapacitetet e tyre e të investojnë edhe më tej.

Në këtë park ata vizituan fabrikën e reciklimit “Plastika” si dhe fabrikën e barnave “Genti Pharm”.

 

Të ngjashme