22 vjet më parë kishte filluar punimet konferenca e Rambujesë në Francë. Synimi ishte zgjidhja e krizës në Kosovë.
Në këtë konferencë të rëndësishme për Kosovën, pjesëmarrës ishte edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, që në atë kohë mbante pozitën e këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës.
Tani kur kanë kaluar më shumë se dy dekada, Hasani ka treguar për Albanian Post se ende i ka në memorie zhvillimet brenda kështjellës së Rambujesë.
“E kujtoj me shumë respekt për krejt ata që kanë qenë aty dhe që kanë punuar me aq përkushtim për Kosovën dhe popullin e saj në ato ditë të vështira”, thotë Hasani.
“Vështirësia në arritjen e marrëveshjes nuk ka qenë e shkaktuar nga pala serbe”, revokon ai.
“Ata shumë edhe nuk janë pyetur, por nga pala e jonë. Nga ne kërkohej pëlqimi për të vazhduar tutje, siç e edhe ndodhi në fund me bombardimet kundër regjimit të Milosehviqit”, thotë Hasani.
Pos kësaj, edhe dy çështje tjera të rëndësishme ndikuan sipas tij që bisedimet të mos shkojnë si duhet.
“Çështja e referendumit ka qenë problemi kryesor dhe demilitarizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Pala e jonë, përkatësisht ata që flisnin në emër të UÇK-së kanë pasur frikë legjitime se demilitarizimi i saj do të çoj në defaktorizimin e tyre në vendimmarrjet e më pastajme për statusin e Kosovës”.
Profesori i drejtës ndërkombëtarë thekson se koordinimi i palës kosovare ka qenë “shumë i zbehët”.
“Krejt çfarë është arritur në mes të dy palëve është bërë me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtar. Duket paradoksale, por ata kanë qenë ndërmjetësues edhe në mes të dy palëve të delegacionit kosovar, UÇK dhe LDK”.
Shqiptarët në Rambuje kishin probleme të gjenin gjuhë të përbashkët, tregon Hasani.
“Mjaftonte që ne të pajtoheshim, sepse një hap i tillë i jepte lejen perëndimorëve që të ndërhynin ushtarakisht kundër regjimit të Millosheviqit me qëllim të ndaljes së politikave të tij gjenocidale në Kosovë.
“Ka qenë e ditur që një Bosnje e dytë nuk do të lejohej”.
Por brenda kështjellës së njohur të Rambujesë, pati zhvillime edhe jashtë tavolinës së bisedimeve.
Gjatë kohës së pauzave serbët e kishin sharë ish-drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin.
“Ne me serbët nuk takoheshim, por kur ndesheshim me ta korridoreve, ata silleshin sikur ‘kapadainj’”.
“Një moment kishin fyer Thaçin. Ai kërkoj që ta bënte publik një gjë të tillë”.
“Dola para mediave ndërkombëtare dhe ai shprehu shqetësimet e tij për kërcënimet dhe sharjet që po ia bënin delegacioni serb pa ndërprerë”.
“Unë përktheja duke korrigjuar një pjesë substanciale të asaj që thoshte sepse më herët e kisha pyetur z. Thaçi se për çfarë donte të fliste para mediave”.
Hasani ka kritika për disa përkthyes të tjerë nga Kosova që kishin refuzuar t’ia përkthejnë fjalimin Thaçi, pasi ky i fundit u kërcënua.
“Ata që kishin ardhur si përkthyes nga Kosova, për LDK Skender Hyseni, për UÇK, Dukagjin Gorani, për zyrën amerikane, Gjyljeta Mushkolaj u ndaluan të përkthenin për Thaçin.
“Ai më luti mua që ta ndihmoja dhe unë e bëra”.
Megjithatë, Hasani konsideron që Kosova nuk i ka arritur synimet e veta në Francë.
“Por, ajo konferencë ka hapur rrugët për pavarësimin e vendit dhe, mbi të gjitha, për sulmin ushtarak kundër caqeve serbe të regjimit gjenocidal të diktatorit serb Millosheviq. Sulmet e NATO-s më pas sollën suspendimin e sovranitetit serb mbi Kosovën dhe çdo gjë pastaj ka qenë e lehtë”, përfundoi Hasani.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt të vitit 1999, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majosrsi nga Rusia dhe Vollfgan Petriq nga Bashkimi Evropian.
Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë.
Bombardimet përfunduan më nëntë qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.