Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani po qëndron në Francë ku po merr pjesë në konferencën “Konkurrueshmëria dhe zhvillimi i sektorit privat” në të cilën po marrin pjesë ministra nga vende të ndryshme të Evropës juglindore.
I shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në këtë vend, Qëndrim Gashi, Hasani në këtë konferencë ka falënderuar organizatorin e konferencës, Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Hasani ka thënë që rekomandimet që merr Kosova nga organizata të huaja, siç është edhe OECD-së, përmes studimeve të ndryshme, përmes pjesëmarrjes në trajnime dhe punëtori të ndryshme të organizuara nga këto institucione, përmes analizave të ndryshme dhe raporteve që ato bëjnë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës. Sipas tij ky është një kontribut i rëndësishëm.
Ai po ashtu ka përmendur lehtësirat që kanë ardhur nga CEFTA e të cilat kanë mbështetur liberalizimin e tregtisë për mallra dhe shërbime në rajon.
“Për sa i përket tregtisë, vlen të përmendet mbështetja e OECD u dha vendeve të CEFTA-së për të na ndihmuar në liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë në rajonin tonë. Në veçanti, seritë e Çështjeve të CEFTA-s, të cilat trajtuan çështje shumë të rëndësishme në fushën e tregtisë, siç janë eliminimi i barrierave jo-tarifore, integrimi i tregtisë, hyrjet e IHD-ve, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe kështu me radhë, kanë provuar të jenë shumë të dobishme për sa i përket eliminimin e barrierave jo-tarifore dhe mbështetjen e liberalizimit të tregtisë për mallra dhe shërbime në rajonin tonë. Një analizë e tillë na ndihmoi të kuptojmë se ku është bërë progres dhe ku duhet bërë më shumë punë”, theksoi Hasani, transmeton Klan Kosova.