Në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka dëshmuar Valdet Hashani, ish-menaxher i Qendrës së Karantinës.
Hashani, ka dhënë dëshmi para deputetëve për rastin e Agon Musliut.
Përgjegjësi i karantinës në Qendrën e Studentëve, Valdet Hashani, ka treguar se s’kishte marrë asnjë dëshmi për gjendjen e Agon Musliut, që vdiq në këtë qendër në muajin maj.
Gjatë raportimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për pandeminë, Hashani ka thënë se nuk kishte pasur asnjë dokument për të, por ka shtuar se kishte marrë një mesazh nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, njëkohësisht menaxher i karantinës në atë periudhë, Izet Sadiku, dhe se kishin dërguar kërkesë te Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës për të ftuar mjekët për këtë çështje.
Hashani ka thënë se s’ka pasur asnjë kontakt as me babanë e të ndjerit.
Intervistimi i Hashanit ka përfunduar pas dy orësh raportim. Në orën 14:00 pritet raportimi i prindit të Agon Musliut.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që të hidhet në votim nëse do të jetë i mbyllur raportimi i Naim Musliut, por deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kundërshtuar duke thënë se duhet të jetë i hapur, vetëm nëse ajo kërkohet nga vetë dëshmitari.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demalijaj, e ka pyetur Hashamin për disa emra që ai pretendon se janë liruar me 12 maj të këtij viti nga Qendra e Karantinimit pa vendim, duke ia përmendur vazhdimisht edhe emrin e një qytetari serb nga Prishtina.
“Ju i keni liruar me 12 maj disa persona pa vendim nga Qendra e karantinimit”.
E këtë Hashani e ka mohuar duke thënë se të gjithë janë liruar me vendim.
“Po të kishte ankesa edhe vetë i nderi do t’i kishte thënë dikujt prej vullnetarëve apo neve dhe do ta kishim liruar si të tjerët. Po të na kishte ardhur ndonjë ankesë, do t’ishim marrë me të, pasi ne jemi marrë me çdo ankesë qoftë edhe veç një mesazh nëse na kishte ardhur e kishim marrë parasysh. Edhe çdoherë kur dikush ka bërtit apo është ankuar ne kemi dërguar njerëzit përgjegjës”.
Hashani theksoi se SHSKUK-ja nuk mundet me i dërguar njerëzit në sekonda, por bashkë me vullnetarët kanë qëndruar gati për të mos ndodhur më e keqja.
“Nuk them se s’ka lëshime, por e them me plot bindje se është bërë puna më e mirë e mundshme. Kjo është pyetje që s’duhet të më adresohet mua, të gjithë personat që janë sjell në karantinë flasim ne për ta, jo për të tjerat”, shtoi ai.
Sipas Hashanit, në kuadër të mbi 1 mijë e 500 personave të karantinuar nuk erdhën të gjithë nga aeroporti, por pati edhe përmes hyrjeve të tjera si ato tokësore.