Në dosjen SaHanShefi, hulumtuesit e KALLXO.com kanë zbuluar edhe fatura, me të cilat stafi i kryeministri të atëhershëm, Hashim Thaçi, kishin paguar cigare.
540 euro kishte shpenzuar zyra e Hashim Thaçit në një darkë zyrtare në Vila ‘Belvedere’. Veç verës italiane e ushqimeve, në këtë faturë janë paguar me para të arkës së shtetit edhe 2 pako cigare ‘Kent’.
Në faturën e natës 3 nëntor 2011, lëshuar pas orës 23:00, shteti kishte paguar edhe cigaret e zyrës së Thaçit.
Shihet që në faturë janë shpenzuar 105 euro në verën italiane ‘Chardonnay Abbazia’ dhe 42 euro në verën tjetër, po ashtu italiane ‘Prosecco Bottega’. Por, kjo faturë ka edhe dy pako cigare ‘Kent’.
Veç 150 eurove për verë e cigare, nga kuleta e shtetit ishin shpenzuar para edhe për levrek, sallatë, ujë, djathë e produkte tjera. Totali i kësaj fature është 538 euro e 55 cent.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.