Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u përpoq që të tregohej mirëkuptues për qëndrimet e kryeministrit Rama gjatë vizitave të tij në Beograd. Por nuk e ka lënë me kaq.
Ai tha se i mirëpriste projektet infrastrukturore që lidhin Shqipërinë me Serbinë, por pati edhe një vërejtje në lidhje me autostradën që nis në Durrës dhe përfundon në Nish.
“Shqipëria të mbyllë një herë autostradën Durrës – Kukës ku po vdesin kosovarë çdo ditë në urat e pambyllura sesa të mendojë për lidhjen me Nishin”, tha Thaçi.
Thaçi: Nuk ekziston marrëveshja Rama-Vuçiç për autostradën Durrës-Nish
Për presidentin Thaçi, zhurma mediatike për takimet e shpeshta të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me krerët e shtetit Serb nuk a rëndësi për aq kohë sa deklaratat dhe qëndrimet e Ramës në raport me Kosovën janë të drejta.
Sipas tij, bashkëpunimi bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë në dëm të Kosovës, ashtu sikundër vizitat e Ramës në Beograd nuk shkelin raportet me kosovarët.
Për Thaçin, Rama ka të drejtë të flasë për Kosovën, por jo në emër të saj.
“Për Kosovën vendosin institucionet. Për vendimarrjen e saj vendosin autoritetet. Kosova dhe Shqipëria nuk janë në garë. Rama flet për Kosovën, por jo në emër të Kosovës”.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për nënshkrimin e një marrëveshje bilaterale nga ana e qeverisë shqiptare dhe asaj serbe për autostradën Durrës Nish pa qeverinë e Kosovës, Thaçi deklaroi se një marrëveshje e tillë nuk ekziston në dijeninë e tij.
“A është kjo Marrëveshje tregues i kalimit të së drejtës së Ramës në raport me Shqiptarët e Kosovës?”, ka pyetur drejtuesi i emisionit “Opinion”.
“Qëndrimet e Ramës kanë qenë të drejta, në raport me Kosovën dhe Serbinë. Unë nuk e kam lexuar dhe nuk e di që është nënshkruar një marrëveshje por një projekt i tillë nuk ekziston. Unë nuk e kam lexuar”, është përgjigjur Thaçi.