Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti sot dëgjim publik me temën: Arritjet, sfidat dhe avancimi në luftën kundër korrupsionit.
Fillimisht kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, sqaroi se ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxhaj, e cila ishte e ftuar në këtë dëgjim publik, nuk do të jetë prezente, për shkak të agjendës së saj të ngjeshur: Ajo shprehu shqetësimin e saj për mungesën e ministres duke vlerësuar këtë qasje joserioze të kreut të drejtësisë në vend..
Një fjalë rasti në këtë dëgjim publik mbajti edhe përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane, Jean Phillipson.
Ajo shprehu besimin e saj se Ministria e Drejtësisë dhe Agjensia Kundër Korrupsionit do të luajnë një rol kyç në luftën kundër korrupsionit.
“Ambasada përmes departamentit të drejtësisë janë fuqishëm të përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve që përmirësojnë kornizën ligjore , në mënyrë që të ketë gjyqësor më efikas dhe të pavarur”, tha Phillipson.
Në vijim anëtarët e Komisionit, duke vazhduar me dëgjimin publik, parashtruan disa pyetje për drejtorin e Agjensisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, i cili fillimisht prezantoi raportin vjetor të punës të këtij institucioni, të cilin e përfaqëson . Ai sqaroi se janë trajtuar rreth 200 raste të dyshuara për korrupsion dhe se gjatë hetimit të tyre, në disa raste ka pasur elemente të veprave, të cilat janë dërguar në prokurori.
Ndërkaq, disa nga anëtarët e Komisionit vlerësuan se legjislacioni nuk është pengesë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. U tha se është koha që të bëhet diçka konkrete për luftimin e kësaj dukurie dhe se hapat konkret duhet të jenë më të radikalizuar.
Anëtarë të Komisionit vlerësuan se Kosova është duke u ballafaquar me nivel të lartë të korrupsionit, ndërsa vlerësuan se ligjet nuk parandalojnë luftimin e korrupsionit, por kërkuan që të forcohet sistemi i drejtësisë dhe se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë të pavarur në punën e tyre.
Me këtë rast, përfaqësues të shoqërisë civile theksuan se korrupsioni nuk është çështje perceptimi por realiteti. Mes tjerash këta përfaqësues vlerësuan se ka munguar vullneti politik për të pasur një sistem të pavarur gjyqësor. Po ashtu, u tha se duhet të ketë ligj për konfiskim të pasurisë.
Mes tjerash u tha nga ta se deputetët duhet ta kenë vullnetin e mjaftueshëm politik në mbështetjen e institucioneve përkatëse që luftojnë korrupsionin, si dhe të rritet roli parlamentar në mbikëqyrje dhe llogaridhënie.
Krejtësisht në fund u tha se, pas këtij dëgjimi publik, Komisioni do t’i bëjë disa rekomandime nga propozimet që dolën nga ky dëgjim publik.