Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e ka arsyetuar aksionin e partisë së saj para Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë. Arrestimin e aktivistëve si dhe të deputetes Saranda Bogujevci e ka quajtur të papranueshëm.
“Kur institucionet janë në gjumë dhe nuk reagojnë karshi raportimeve për dhunën në familje, aksionet simbolike bëhen të domosdoshme për t’i zgjuar nga gjumi ata që kanë për detyrë të mbrojnë jetët e vajzave, grave, fëmijëve!”, thotë Haxhiu.
Ajo ka paralajmëruar edhe aksione tjera.
“Arrestimi i aktivistëve dhe deputetes Saranda Bogujevci është i papranueshëm dhe ka për tendencë mbylljen e gojës karshi vrasjeve të vajzave e grave! Ne do të vazhdojmë me aksione të tilla e të ngjashme deri sa të ketë reagim të menjëhershëm karshi dhunës ndaj grave! Liri për të arrestuarit! Drejtësi për gratë që janë vrarë! Dënim kriminelëve!”, ka shkruar ajo.