Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë Lilana Stevanoviq.
Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu thotë se veprimi i Stevanoviq “cenon integritetin e sistemit gjyqësor”.
Suspendimi i Stevanoviqit vjen pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të serbëve të Kosovës.
“Kryetarja dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë e kanë për obligim të veprojnë vetëm në përputhje ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi dhe jo të tallen me institucionet. Çfarëdo veprimi sikur ai në takim me Vuqiq është shkelje dhe cenon integritetin e sistemit gjyqësor”, tha Haxhiu.
“Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë është i drejtë dhe në përputhje me ligjin për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve prandaj edhe si të tillë e ka mbështetjen tonë”, shtoi ajo.
Veprimi i tillë nga ana e institucioneve të Kosovës ka ngjall reagime në Beograd.