Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me rastin e përvjetorit të 25-të të Policisë së Kosovës, kujtoi ata që dhanë jetën për mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e qytetarëve.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo thotë se çdo ditë e më shumë, në çdo sfidë, Policia e Kosovës dëshmon se siguria jonë është prioriteti i tyre.
Postimi i plotë:
Në përvjetorin e 25 të Policisë së Kosovës, nderojmë me plot respekt për punën e palodhur dhe të përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurimin e paqes në vendin tonë.
Çdo ditë e më shumë, në çdo sfidë, Policia e Kosovës dëshmon se siguria jonë është prioriteti i tyre. Përmes përkushtimit, ndershmërisë dhe profesionalizmit të lartë Policia ka fituar edhe më shumë besimin dhe respektin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Me respekt të veçantë do të kujtojmë përherë të gjithë ata të cilët dhanë jetën për mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e qytetarëve, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme të guximit, sakrificës dhe heroizmit.